Haradinaj: Emigrantët e djeshëm, mund t’i shërbejnë tani vendit si qytetarë

PRISHTINË, 18 dhjetor /ATSH/ – Kryeministri Ramush Haradinaj në Ditën Botërore të Emigrantëve kujtoi sakrificën për liri të heronjve të Kosovës, si dhe ndihmën e të emigruarve në etapa të ndryshme historike.

Haradinaj tha se në memorien e shumë brezave të qytetarëve rëndon pesha e emigrimit, qoftë të nxitur nga arsye ekonomike e sociale, por edhe të përndjekur për arsye politike.

“Në ditën Ndërkombëtare të Emigracionit, ne i kemi ende të freskëta në kujtesën tonë, pamjet dhe përvojat e gjithsecilit, kur me pak rroba në trup, të pa shpresë dhe të pa ushqyer, kemi mësuar rugët pa adresë, të shtyrë nga regjime shtypëse. Sot, i kujtojmë të gjithë ata njerëz, kudo nëpër botë, që na kanë dalë në ndihmë, për të na dhënë strehim në shtëpitë e tyre, dhe një punë në tokën e tyre. Po sot, i kujtojmë edhe sakrificën për liri të heronjve dhe luftëtarëve tanë që nga emigracioni iu përgjigjen thirrjes së atdheut në përpjekjet për liri e dinjitet”, tha Haradinaj.

Po ashtu ai tha “mirënjohës vendeve mike për ndihmën e pakursyer, që strehuan në të gjitha kohërat njerëzit tanë. Jemi dëshmitarë, që shteti i Kosovës, që e kemi krijuar me shumë mund dhe me ndihmën e të emigruarve në etapa të ndryshme historike, është atdhe i të gjithëve dhe shtëpi e ngrohtë për të gjithë! Ata që dje kanë braktisur vendin si emigrantë, sot mund t’i shërbejnë më së miri atij si qytetarë, kudo që janë, me investime në atdheun e të parëve”, përfundoi Haradinaj. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.