Bylykbashi: Drafti i njëanshëm i PS-së, minon reformën zgjedhore

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH- I. Vata/ – Partia Demokratike akuzon Partinë Socialiste se po minon reformën zgjedhore, ndërsa konsideron si zgjidhje një reformë konsensuale dhe jo të njëanshme.

Në një deklaratë për mediet, bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar Ad-Hoc, për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, shprehet se “me amendamentet e njëanshme, PS në mënyrë të përsëritur, po minon reformën zgjedhore”.

“Me paraqitjen e draftit të njëanshëm të amendamenteve të Kodit Zgjedhor, PS në mënyrë të përsëritur po minon reformën zgjedhore. Ky akt tregon qartë se i vetmi qëllim i PS është të sabotojë reformën zgjedhore. Parlamenti mund të votojë vetëm amendamente që miratohen  nga Komisioni i Reformës Zgjedhore. Veprimi i sotëm i Partisë Socialiste ka si qëllim vetëm prishjen e urave të konsensusit për rregulla loje që pamundësojnë ripërtëritjen e shkeljeve dhe manipulimeve të zgjedhjeve që konstatoi raporti i OSBE-ODIHR në vitin 2017”, shprehet ai.

Më tej, Bylykbashi shton se reforma zgjedhore ka konstatuar se problemet kryesore të zgjedhjeve janë pasojë dhe përgjegjësi e qeverisë, duke akuzuar qeverinë se nuk bën përpjekje për të zgjidhur këtë situatë.

“Asnjë përpjekje nuk është bërë nga qeveria për të zgjidhur problemin e 1.4 milionë letërnjoftimeve që u skadon vlefshmëria deri në ‎datën e zgjedhjeve 30 qershor 2019, që përbën shumicën dërrmuese të zgjedhësve aktivë. Asnjë përpjekje reale nuk është bërë nga qeveria për të vënë në jetë projektin pilot të votimit elektronik, si një mjet kundër mashtrimeve zgjedhore. Asnjë përpjekje nuk ka në plan qeveria kundër presionit mbi administratën dhe abuzimit me burimet shtetërore, siç rekomandon ODIHR”, shprehet ai.

Në vijim, Bylykbashi shton se “asnjë përpjekje nuk është bërë për sistemin e plotë dhe të saktë të adresave, mungesa e të cilit vazhdon të lejojë manipulimin e listave të zgjedhësve duke importuar zgjedhësit nga një qytet në tjetrin. Asnjë masë nuk është marrë që policia e shtetit të garantojë që kriminelët të mos prishin procesin, në të njëjtën kohë të mos bëhet vetë ajo palë e manipulimit dhe presionit”.

Po ashtu Bylykbashi ndërsa akuzon PS se po minon reformën zgjedhore thekson nevojën e një një reforme konsensuale.

“Nga njëra anë edhe vetë përfaqësuesit e qeverisë kanë pranuar se këto probleme thelbësore nuk zgjidhen me Kodin Zgjedhor, por janë detyrë e qeverisë dhe çështje e vullnetit politik.  Minat që PS po i vë sot reformës zgjedhore, synojnë të fshehin mosveprimin e qëllimshëm të saj për këto probleme. Synimi është i qartë, pa një reformë konsensuale, qeveria fsheh përgjegjësitë e saj dhe mbron vjedhjen dhe manipulimin e zgjedhjeve”, shprehet bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar Ad-Hoc, për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.