Asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit për universitetet private

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ “Nuk është dhënë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit për universitetet private”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në një takim me pedagogë e studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës.

“Jo vetëm që nuk është dhënë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit për universitet private, por as edhe Ligji i Arsimit të Lartë, nuk e ka këtë gjë. Ligji nuk hap rrugë për financimin publik të universiteteve private. Kjo është një gënjeshtër me bisht që ka marrë dhenë dhe përdoret si një nga akuzat kundër Ligjit”, – tha Rama.

Ndërkohë, ai theksoi se “Ligji u jep mundësinë të gjithë aktorëve për të pasur akses në fondet e kërkimit shkencor, dhe kjo është gjëja më normale në botë”.

“Por edhe në këtë rast nuk ka ndodhur, asnjë qindarkë, zero”, – tha Kryeministri, duke theksuar se kushdo që beson të kundërtën është viktimë e propagandës kundër Ligjit.

Rama theksoi se “ne i kemi hequr të drejtën universiteteve private të të qenit ndërmarrje fitimprurëse”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.