6 milionë euro për tenderin e rojave, Rama: Rektorët janë për drejtimin akademik, jo për tendera

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Rektorët e dekanët nuk duhet të merren me tendera, por me politika dhe me drejtimin akademik.

Kështu deklaroi sot, Kryeministri Edi Rama në një takim me studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës.

“Këtu zhvillohen luftëra për tendera, se kush do bëjë tenderin se na merr qeveria autonominë. Jo, administratori si në të gjitha vendet normale është personi që administron, bordi i administrimit kontrollon dhe garanton dhe drejtimi akademik është akademik”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se është e paimagjinueshme që rektori i Universitetit të Tiranës të bllokojë dekanatet për tenderin e rojave të sigurisë.

“Ne sot diskutojmë për autonomi dhe kërkim shkencor, ndërsa rektori i Universitetit të Tiranës lufton për të drejtën për të bërë tenderin e rojave të sigurisë. 6 milionë euro harxhon Universiteti i Tiranës, Universiteti i Elbasanit dhe ai i Durrësit për roja. Gjithë sistemi mbrojtës i Republikës së Shqipërisë me polici, ushtri, kufi, radar dhe të gjitha është 200 milionë”, – tha Rama.

Sipas tij, “këto janë probleme që nuk kanë të bëjnë me Ligjin e Arsimit të Lartë”.

“Çfarë ruajnë këto universitete, çfarë studimesh bërthamore kanë bërë këta dhe çfarë sekretesh kanë në Universitetin e Tiranës që u duhen kaq shumë roja? Çfarë kanë zbuluar për inteligjencën artificiale në Elbasan, apo në Durrës mos kanë zbuluar jetën në mars që u duhen kaq shumë roja”, – pyeti Rama.

Industria e rojeve private, sipas Kryeministrit është më e çuditshmja dhe protesta na çoi tek analiza dhe nevoja për të zbërthyer gjithë këtë industri. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.