Vlerësim për ekipin Kombëtar të futbollit që 51 vite më parë barazoi 0-0 me RFGJ

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ – Kombëtarja e Shqipërisë në futboll e vitit 1967 e cila barazoi 0-0 me Republikën Federale të Gjermanisë, e riktheu vendin tonë të harruar në Europë përmes futbollit të luajtur me aq pasion e dashuri.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta rikujton sot këtë datë të shënuar për sportin dhe vendin tonë.

“Si sot 51 vite më parë, Shqipëri-R.F.Gjermanisë 0-0. Ky rezultat historik për ekipin tonë Kombëtar të futbollit dhe skualifikimi i nënkampionëve të botës e riktheu vendin tonë të harruar në Europë përmes futbollit të luajtur me aq pasion e dashuri nga ai ekip i jashtëzakonshëm që është gdhendur thellë në kujtesën dhe zemrën e të gjithë sportdashësve”, thekson Meta.

“Të gjithë kujtojnë ende me nostalgji golin e paparë të Gjinalit, që vetëm arbitri nuk e pa!”, shprehet Presidenti.

“Një homazh dhe vlerësim të veçantë për të mëdhenjtë, të cilët nuk jetojnë më, Loro Boriçi, Lin Shllaku, Josif Kazanxhi, Panajot Pano, Medin Zhega e Frederik Jorgaqi. Një mirënjohje të veçantë për ata të cilët akoma na përcjellin ato emocione të paharruara si Koço Dinella, Alfred Gjinali, Teodor Vaso, Ramazan Rragami, Ali Mema, Sabah Bizi. Respekt për të gjithë Ju!”, thekson Presidenti Meta.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.