Gjylameti: Studentët të ulen në tavolinën e dialogut dhe jo të jenë pjesë e bllokimit

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti komentoi protestën e studentëve, e cila ka hyrë sot në ditën e 13, ndërsa foli edhe për gatishmërinë e qeverisë për plotësimin e kërkesave të tyre.

E ftuar në një studio televizive, Gjylameti theksoi se “nga ana e Kryeministrit dhe mazhorancës ka një përgjigje mjaft të qartë ndaj 8 kërkesave të studentëve”.

Sipas saj “ka patur një angazhim maksimal për zgjidhjen jo vetëm të 8 kërkesave, por edhe më shumë, por duhet që studentët të ulen dhe të diskutojnë”. “S’besoj se ka pasur ndonjëherë në histori një përgjigje të tillë nga një kryeministër, përsa i përket demokracisë. Studentët sot duhet të ishin pranë auditorëve për të zgjedhur përfaqësinë e tyre nga vetë ata, që më pas të uleshin me Kryeministrin,” – tha Gjylameti.

Gjylameti theksoi se “një pjesë e mirë e kërkesave të tyre janë tërësisht në kompetencën e senateve të universiteteve, sipas Ligjit të Arsimit të Lartë”.

“Për të pasur një sistem arsimor që mirëfunksionon në të gjitha hallkat e tij, studentët duhet të zgjedhin përfaqësitë e tyre dhe të dialogojnë me Kryeministrin”, – tha Gjylameti.

E pyetur mbi mundësinë e përshkallëzimit të protestës në një grevë urie, Gjylameti u shpreh se “nuk besoj se mund të arrijnë në një pikë të tillë, për sa kohë që kërkesat po plotësohen dhe kanë marrë angazhimin maksimal nga Kryeministri për t’u plotësuar”.

Ajo nënvizoi këtu reagimin e menjëhershëm të qeverisë për shfuqizimin e VKM-së.

Ndërkohë Gjylameti veçoi ndërhyrjen e dy forumeve politike PD-LSI për të uzurpuar protestën e sotme, duke theksuar se “nga ana e politikës po tentohet që të merret peng protesta”.

Pyetjes nëse kjo protestë fakton problemet e Ligjit për Arsimin e Lartë”, Gjylameti iu përgjigj se “problemet që ngrenë studentët nuk kanë të bëjnë me Ligjin e Arsimit të Lartë, por me zbatimin e tij”. Kërkesat e tyre, tha ajo, “i adresohen universiteteve dhe senateve”.

“Nuk ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri kjo që po ndodh sot, që Kryeministri t’i ftojë në dialog për të drejtat e tyre dhe nga ana tjetër të dëgjojmë se janë shumë më të prirur të jenë pjesë e bllokimit, sesa e dialogut. Problematikat e studentëve i adreson vetëm qeveria ndaj dhe ata duhet të ulen në tavolinën e dialogut me Kryeministrin”, – tha ajo. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.