FOTO/ ”Oda Shqiptare”, promovim turizmit përmes figurave të spikatura

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ – Personalitete nga arti, kultura, biznesi dhe politika u bënë bashkë në një mbrëmje të veçantë, për të udhëhequr një mision të ri, atë të promovimit të turizmit në Shqipëri.

Nisma, e cila synon të krijojë një fushatë të gjerë promovuese në rrjetet sociale përmes figurave të spikatura të vendit tonë në botë, u lançua nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në eventin “Oda Shqiptare”.

“Jemi këtu për një qëllim shumë të thjeshtë; të bëhemi bashkë. Vendet me tradita turistike kanë një nga armët më të forta të promovimit të vlerave kombëtare, përmes emrave të njohur të vendeve të tyre. Kjo është ajo që duam të bëjmë të gjithë bashkë, themelimin e rrjetit shqiptar të turizmit, nga Oda e traditave shqip”, – tha ministri Klosi.

Duke bërë një panoramë historike të imazhit të Shqipërisë në shekuj, Klosi kërkoi nga 200 personalitetet e pranishëm që të shpërndajnë përmes teknologjisë jehonën e vlerave natyrore historike e kulturore të vendit tonë në mbarë botën.

”Një klikim i juaji, në profilet tuaja, i një fotoje, videoje apo share nga bregdeti, Alpet, Tirana, Berati, Gjirokastra, natyra, gatimi apo histori Shqipërie, ka efektin e më shumë se dhjetëra panaireve, takimeve zyrtare apo parave të shpenzuara për promovim. Kjo është një e mirë që ju mund t’ia bëni Shqipërisë, turizmit shqiptar”.

Për të bindur të pranishmit e mbledhur në Pallatin e Brigadave, se as qeveria nuk po rri duarkryq në këtë drejtim, ministri Klosi vuri në dukje se janë ndërmarrë iniciativa për ta bërë Shqipërinë konkurruese, duke ecur në drejtim të lehtësirave për investime strategjike, për ngritje të hoteleve dhe resorteve me 4 dhe 5 yje, si dhe miratimin e 100 fshatrave të parë turistikë për të investuar dhe shndërruar në destinacione të mirëfillta turistike në kuadër të “Rilindjes rurale”.

”Ne jemi me të vertetë një vend i vogël, por kemi shumë shqiptarë të sukseshëm dhe të njohur në botë, dhe kemi shumë për ti thënë botës, për arsyen përse duhet të vizitojë Shqipërinë, të pushojnë në Shqipëri, të udhëtojnë drejt Shqipërisë.Mes qindra arsyeve për të ftuar sa më shumë vizitorë në këtë vend, spikat dhe shndërrit mikpritja, buzëqeshja jonë pa kusht”, – shtoi ministri Klosi.

Ai vijoi se “mjafton të themi aty ku jemi dhe ku kemi mundësi të depërtojmë me zërat tanë: “Mirë se vini në Shqipëri!”, aty ku do të gjeni mijëra njerëz që ju buzëqeshin duke iu krijuar ndjesinë se këtu jeni si në shtëpinë tuaj. Shqipëria, ku shumë njerëz nuk mund ta dinë se ku gjendet në hartë, por kur ta vizitojnë do të kuptojnë se ka shumë gjëra për të parë, mësuar e dashuruar”.

“Shqipëria është tashmë në mesin e përvojave më të mira turistike, mes gjithë shteteve të botës që kam vizituar”, shprehej vetëm një muaj më parë, një nga blogerët më të famshëm në botë, Nuseir Yassin.

“Jemi vendi ku turizmi vetëm në 2018-n ka njohur 20% përqind rritje, me plot 6 milion turistë. Jemi vendi, ku po afrohen me shpejtësi, brendet e hotelerisë më të njohura ndërkombëtare, jo vetëm si certifikim i potencialave turistike që ofrojmë, por më shumë se sa kaq, si certifikim i një vendi ku vlen të investohet.Jemi vendi që po bëjmë përpjekjet madhore, për ta identifikuar si destinacion të vërtetë turistik në Mesdhe”, përfundoi ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.

Ndërkohë, përgjatë gjithë mbrëmjes u transmetuan materiale promovuese për Shqipërinë, ndërsa eventi u mbyll me dhënien e çmimeve të mirënjohjes për kontributin e tyre ndaj vendit, sopranos së mirënjohur Inva Mula, instrumentistit virtuoz Olen Cezari si dhe Mario Dedivanovic, artistit të makeup-it, mjaft të njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.