FOTO/ Arkivat, prezantohet Laboratori Qendror i Restaurimit

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ – Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave prezantoi sot Laboratorin e ri Qendror të Restaurimit si strukturë e re ku do të përqendrohen proceset e restaurimit jo vetëm brenda territorit të Republikës së Shqipërisë por edhe jashtë.

Ky prezantim u bë në praninë e Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave Ardit Bido dhe krye-shefit të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës Ram Manaj në vazhdimësi të bashkëpunimit mes dy institucioneve për restaurimin e dokumenteve.

Laboratori i restaurimit ka për qëllim konservimin, rimëkëmbjen, rehabilitimin, rikuperimin dhe shpëtimin e dokumenteve të dëmtuara për konsolidimin e dokumenteve të rëndësishëm, kulturore, historike, nga ana fizike dhe estetike.

Degradimi dokumenteve na bën bashkë me një marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës për të ruajtur historinë tonë duke i shpëtuar dokumentet nëpërmjet metodave të reja të modernizuara me mjetet dhe teknologjinë  e përdorur për restaurim, ku ka siguruar fondet e domosdoshme (nga buxheti i shtetit) për të kryer investime në këtë Laborator. Ky investim për pajisjet dhe mjetet e punës më bashkëkohore, dhe mbi të gjitha në trajnimin e punonjësve në laboratorët më të mirë të huaj, mundëson hapjen e rrugës që çdo dokument i historisë kombëtare, qoftë në Shqipëri, në trungun kombëtar a në diasporë”, – tha Bido.

Kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës Ram Manaj e cilësoi restaurimin e dokumenteve si e ardhmja e Arkivit dhe ndihmesë për studiuesit si pjesë e ruajtjes së dokumentacionit.

Në fund të prezantimit Përgjegjësja e Sektorit të Restaurimit shpjegoi proceset që kalon një dokument gjatë fazës së restaurimit. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.