BM – Theresa May e vendosur kundër një referendumi të dytë mbi Brexit

LONDËR, 17 dhjetor /ATSH-AFP/ – Kryeministrja britanike, Theresa May përgatitet të dënojë ashpër sot të gjitha thirrjet që shtohen në Britani të Madhe për një referendum të dytë mbi Brexit, që shihet si një zgjidhje e mundshme ndaj ngërçit politik që vjen nga armiqësia ndaj marrëveshjes së ndarjes të arritur me Brukselin.

“Pos thyeni besimin e popullit britanik duke u përpjekur të organizoni një referendum të dytë mbi Brexit”, pritet të thotë kryeministrja britanike në një deklaratë para deputetëve në Dhomën e Komuneve.

Një votim i ri do të sillte dëme të pariparueshme për integritetin e jetës tonë politike”, vlerëson ajo në një pjesë të publikuar më herët nga shërbimet e saj për shtyp.

“Ky referendum i dytë nuk do të na ndihmonte të përparonim dhe do të ndante edhe më shumë vendin tonë në çastin që jemi duke punuar për ta bashkuar”, sipas pjesëve të fjalimit të publikuara nga zyra e May.

Britania e Madhe u shpreh në masën 52% në favor të një dalje nga BE-ja gjatë një referendumi në qershor 2016.

Brexit duhet të konkretizohet më 29 marsin e ardhshëm, por marrëveshja e ndarjes e arritur në nëntor me Brukselin nuk i bind deputetët e të gjitha ngjyrave politike, si ata që janë për një Brexit të ashpër edhe ata në favor të qëndrimit në klubin europian. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.