Viti 2018 konfirmoi qëndrueshmërinë e sektorit bankar shqiptar

TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/- Viti që po mbyllet konfirmoi qëndrueshmërinë e sektorit bankar shqiptar, njofton Banka e Shqipërisë.

Sipas BSH-së, viti 2018 mund të vlerësohet i veçantë për vetë faktin që sistemi përjetoi ndryshime strukturore të rëndësishme, të cilat priten të finalizohen në vitin që po hyjmë.

Ndonëse veprimtaria e sektorit vijoi të zgjerohej, duke mbetur e mirëkapitalizuar, likuide dhe me fitim.

Raporti i kredive të këqija vijoi përmirësimin, duke kapur vlerën më të ulët të këtyre 8 viteve të fundit, 12.89% në shtator, ndërkohë që edhe depozitat përjetuan rritje, e cila u kanalizua në investime në tituj, dhe më pak në kreditim, bën të ditur BSH-ja, sipas së cilës edhe mbiçmimi i kursit të këmbimit dhe fshirjet e kredive të humbura, kanë ndikuar statistikisht në treguesit e ecurisë së kredisë, ndërkohë që niveli i kreditimit në monedhën vendase ka vijuar të dominojë mbi atë në valutë.

Megjithatë përtej kësaj, vlerësoj se niveli i përgjithshëm i kreditimit të ekonomisë është ende larg potencialit dhe mundësitë për të zgjeruar kredidhënien janë të shumta.

Banka Qendrore, vë theksin se, për një ekonomi që duhet të zhvillohet me ritme të shpejta, për të arritur më pranë niveleve të Bashkimit Evropian, situata duhet të ndryshojë dhe nivelet e kreditimit duhet të jenë më të larta, duke treguar kujdes konstant edhe për shëndetin e tij.

Sipas saj, burimet financiare që dispononi dhe hapësirat e konsiderueshme për financim të ekonomisë, tregojnë që eficienca financiare në veprimtarinë bankare mund të përmirësohet ndjeshëm. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.