Skrapar, Meta dekoron dy patriotë të zonës

TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/- Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot qytetin e Çorovodës ku u mikprit nga Kryetari i Bashkisë së Skraparit, Nesim Spahiu, autoritetet vendore, veteranë si dhe shumë qytetarë.
Gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar në Pallatin e Kulturës “Riza Cerova”, Presidenti Meta, vlerësoi Mustafa Kajo Bakiasin – Kapinovën (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, si edhe dekoroi me Titullin “Naim Frashëri” Baba Meleq Staravecka (pas vdekjes).
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Presidenti Meta vuri në dukje se skraparllinjtë kanë luftuar gjithmonë për liri, identitet dhe përparim shoqëror. “Ideali i tyre kombëtar ka qenë përherë forcë udhëheqëse në betejat e pafundme për liri dhe pavarësi”, tha Meta.
“Skrapari ka qenë dhe është toka e burrave trima dhe e grave trimëresha, barrikadë e pakalueshme për çdo armik dhe bazë e palodhur e luftërave çlirimtare.
Skraparllinjtë e kanë ditur vlerën lirisë dhe i kanë vlerësuar përherë energjitë e pafundme që çliron liria dhe dinjiteti. Nuk ka etapë dhe epope të luftës për pavarësi të Shqipërisë që bijtë e Skraparit të mos kenë pasur heronjtë dhe dëshmorët e vet!”, tha Meta
Presidenti i Republikës theksoi gjithashtu se, “Nga ky panteon emrash të ndritur me propozimin e Komitetit të Veteranëve të Skraparit dhe të Kryetarit të Bashkisë, kam kënaqësinë të vlerësoj dy patriotë skraparllinj të shquar të lëvizjes sonë kombëtare dhe Pavarësisë së vendit me dekoratën e Artë të Shqiponjës, Baba Meleq Staravecka dhe Mustafa Kajo Bakiasi (Kapinova).
Baba Meleq Staravecka, në traditën më të shkëlqyer atdhetare të bektashianëve tanë nuk e ndau kurrë fenë nga atdheu. Ai kontribuoi në mënyrë të jashtëzakonshme për edukimin e brezave më të rinj me dashurinë për atdheun, gjuhën shqipe dhe për Zotin. Gjithashtu
Mustafa Kapinova gjithmonë tregoi se kishte lindur për të luftuar vetëm për lirinë dhe progresin e popullit të tij. Ndërsa Mustafa Kapinova ka një kontribut të shquar në forcimin e shtetit të parë shqiptar, por dhe demokratizimin e shoqërisë shqiptare.” – vlerësoi Presidenti i Republikës. e.xh/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.