“Ky ishte urdhri që m’u dha dhe e ndoqa”, martesat e hershme shkelje e të drejtave të të miturve

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH-Z.Tosku/-Martesat e hershme konsiderohen nga të gjitha konventat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, dhunë me bazë gjinore dhe shkelje e të drejtave të tyre.

Të dhënat mbi shkallën e përhapjes së fenomenit të martesave të hershme që vinin nga Anketa Demografike dhe e Shëndetit 2008-2009 tregonin që një ndër dhjetë gratë të moshës 20-49 vjeç ishte martuar për herë të parë para moshës 18 dhe se 7%  e vajzave dhe grave të moshës 15-19 vjeç ishin të martuara ose në bashkëjetesë.

Këtyrë të dhënave iu shtua edhe studimi i fundit, “Martesa e fëmijëve-njohuritë, qëndrimet dhe perceptimet ndër komunitetet e prekura në Shqipëri”, i realizuar nga UNICEF në bashkëpunim me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Popullsinë(UNFPA), Observatorin për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve mbështetur financiarisht nga qeveria Suedeze dhe Agjencia për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Studimi tregoi se martesa e hershme ul mundësinë e vajzave për një jetë të pavarur, të shëndetëshme dhe të qëndrueshme financiarisht dhe shton gjasat që të cënohen nga dhuna me bazë gjinore.

Elma Tërshana, Drejtore Ekzekutive e Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve argumentoi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, studimi tregoi se ky fenomen ndodh në zona të izoluara dhe një ndër faktorët kryesorë lidhet me pamundësinë  e arsimimit të mëtejshëm të vajzave.

“Në prespektivat urbane të vendit tonë shikojmë që vajzat nëpërmjet edukimit vit pas viti, që bën deri në nivel universitar, apo mundësisë për punësim, mundësisë për të pasur një shok/partner shtyn kohën e martesës. Kjo është një nga gjetjet e censit vite më parë. Por, ne nuk i lexojmë realitetet e këtyre komuniteve të izoluara, shikojmë një antagonizëm sepse atje është pamundësia e arsimimit më tej. Në momentin që stopon arsimimi në klasën e 9-të, në moshën 15-vjeç, vajza e shikon si opurtinitet nga familja apo nga të afërmit për t’u martuar”, tha ajo.

 

Tërshana tha se në komunitetet ku shfaqet ky fenomen, problemi qëndron edhe në faktin se martesat nuk artikulohen si të tilla, por shihen si një mundësi për një jetë më të mirë për fëmijën. Kjo sipas saj, për shkak të mentaliteteve të zonave të izoluara.

“Çdo person nën 18-vjeç, vajzë apo djalë ekspozohet para faktit të një martese të parakohshme dhe martesë të parakohshme konsiderojmë edhe premtimin që bën familja në martesë të kësaj vajze, që në fakt, nuk shihet si një cënim i të drejtave të individit apo të fëmijët. Nuk artikulohet si e tillë, shihet më shumë si një shans për fëmijën qoftë edhe në mentalitetin e zonës”, -shpjegon ajo ndërsa vë në dukje se ky fenomen nuk është i përhapur vetëm në komunitetin rom por targeton kryesisht komunitete të izoluara.

Johan Ndisi, ambasadori i Suedisë në Shqipëri tha se, martesat  e hershme kanë ndikim në zhvillimin social të një vendi ndërsa argumentoi se këto martesa i pengojnë individët të kuptojnë potencialin e tyre.

“Si fillim mendoj se është një çështje shumë e rëndësishme, sepse së pari ka të bëjë me zhvillimin social të vendit. Martesat e fëmijëve nuk kanë vetëm implikime të forta shoqërore por edhe për individët, në aspektin se nuk janë në gjendje të kuptojnë potencialin e tyre të plotë. Së dyti, martesa e fëmijëve pengon mundësinë që gratë të punojnë, pra nuk ka vetëm implikime sociale, por në terma afatgjatë ka edhe implikime mbi potencialin ekonomik të këtij vendi.  Ka ndikim në shumë nivele, atë individual si dhe atë shoqëror. Kjo është arsyeja përse studimi që ka filluar sot është shumë i rëndësishëm që të tregojë punën që qëndron para për Shqipërinë. Normalisht që Suedia do e mbështesë. Ne i japim një mbështetje të fuqishme sistemit të BE-së jo vetëm në Shqipëri por edhe në gjithë botën, kur bëhet fjalë për të forcuar barazinë gjinore kudo në botë, sepse është mirë për gratë por edhe për meshkujt dhe është mirë për shoqërinë në vetvete”, -thotë ambasadori.

Kur bëhet fjalë për të drejtat e vajzave dhe grave si dhe përfaqësimit të tyre në parlament, Suedia mbështet forcimin e pozitës së gruas në shoqëri.

“Suedia mbështet forcimin e të drejtave të grave kur bëhet fjalë për të drejtat e grave dhe vajzave, përfaqësimin e grave dhe vajzave, këtu po flas për Parlamentin dhe forma të tjera të vendimmarrjes, por edhe forcimin e burimeve, si qeveria i përdor këto burime, që të fokusohen tek gratë dhe vajzat. Nëse gratë dhe vajzat janë 51% e popullsisë atëherë ato duhet të marrin 51% të burimeve”, -tha ndër të tjera ambasadori Ndisi.

Sipas tij, qeveria shqiptare mund të përdorë këtë studim në përgatitjen e strategjive për të luftuar një fenomen të tillë.

Historia e një vajze të re të martuar para moshës 18 vjeç

“Isha 15 vjeç. Si ta dija çfarë ishte bashkëshorti? Ne nuk ishim si fëmijët në ditët e sotme që edhe në kopsht dinë të përgjigjën si të rritur kur i pyet se çfarë është burri. Gruaja e xhaxhait tim kishte në rrethin e saj familjar një djalë të mirë, burrin tim…ai dhe familja e tij janë të mirë dhe ai është shumë punëtor. Si mund ta mbaj mend gjithçka? Familja më pyeti se çfarë do vendosja. Nuk dija të flisja fare. E humba fare. Ishte vërtet e sikletshme. Pasditen tjetër me thanë se fejesa do të bëhet pas 2 ditësh. Nesër do të dalim të blejmë një dhuratë për burrin tënd dhe do të bëhemi gati. Ndërsa më parë, madje më thanë se burri im kishte ardhur disa herë në dyqan për të parë si isha dhe për të qenë e sinqertë, më la një përshtypje të mirë, si i panjohur që ishte. Ç’të them? Nuk kisha arsye të martohesha. Ai ishte urdhri që m’u dha dhe e ndoqa”, ishte rrëfimi i gruas së re. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.