Unioni i fermerëve në Seferan, model për rimëkëmbjen e fshatit në gjithë Shqipërinë

106

TIRANË, 15 dhjetor/ATSH/- Fermerët e Belshit, Elbasan, kanë tashmë një union të përbashkët, i cili do t’i ndihmojë ata në krijimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe që do të sjellë të ardhura të shtuara për gjithë banorët e kësaj zone rurale.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, së bashku me deputetin Musa Ulqini, kryetarin e bashkisë së Belshit, Arif Tafani dhe përfaqësues të Tourism Investment and Finance Fund (TIFF), mbështetur nga USAID, ishin të pranishëm në Seferan në zonën e Belshit, ku kanë marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të themelimit të Unionit të Fermerëve të Seferanit si dhe shpërndarjen e 20 makinerive bujqësore në ndihmë të tyre.

Zona e Belshit është një zonë me potenciale të mëdha, si për krijimin e inkubatoreve të prodhimeve tipike, ashtu dhe për agroturizmin, nisur nga natyra dhe njësitë e shërbimeve që janë ngritur aty, të mbështetura dhe nga organizmave të ndryshëm financiarë, si Tourism Investment and Finance Fund (TIFF) dhe USAID.

Për ministrin Peleshi angazhimi i komunitetit të një vendi, luan rolin kryesor në suksesin e një projekti. Janë pikërisht iniciativa të tilla si kjo e fermerëve të Belshit, modele zhvillimi dhe kooperimi, shembuj konkretë për gjithë fshatin shqiptar, se si duhet të veprohet.

“Joneli dhe kryetari i Bashkisë kanë disa ide shumë të mira, por dhe ne kemi mundësinë t’i mbështesim për të ndërtuar punishte të vogla të përpunimit dhe prodhimit të produkteve tipike tradicionale të zonës, ose që bazohen tek prodhimet e zonës”, theksoi Peleshi.

Duke sjellin shembullin e ullirit, ministri tha se “mund ta çosh ullirin tek fabrikat e ullirit dhe mund ta shesësh me 8 mijë lekë kilogramin, por në qoftë se bashkëpunoni, në qoftë se Unioni do të mund të ndërtojë së bashku një punishte, apo fabrikë ulliri dhe pastaj me ndihmën edhe të fondacionit ta ambalazhojë, ta etikojë, ta shesin siç duhet, mund të shitet me çmim shumë më të lartë”.

Sipas tij, këto bashkëpunimet e vogla mund të disafishojnë të ardhurat për disa familje. Në fund fare ky është dhe qëllimi i përbashkët.

“Që ne të ndërtojmë një mirëqenie në fshat, larg sloganeve politike, të vërtetë, duhet që të bëhen bashkë disa faktorë. Në radhë të parë duhet komuniteti. Së dyti, na duhen përfaqësues vendorë të përgjegjshëm dhe të zgjuar. Ndaj ju thashë, kjo që ndodh këtu, nuk është e zakonshme për fshatin shqiptar. Këto lloj bashkëpunimesh nuk është se i hasim në çdo fshat”,

“Na ndihmoni për ta marrë këtë model dhe për ta çuar në çdo fshat të Shqipërisë. Ka shumë potenciale, të cilat janë të fjetura. Ky liqen i fjetur tani po prodhon, po i kthen, po i jep zonës të ardhura, sepse turistët vijnë dhe për shkak të liqenit, turistët vijnë dhe shkak të njësive të shërbimit, restoranteve, bujtinave që janë ndërtuar këtu dhe natyrisht këtu lënë lekë dhe ky është gjithë qëllimi”, nënvizoi Peleshi.

Ministri tha se “nuk është thjesht një aktivitet i vogël, ku ne na jepet mundësia të dalim në televizor dhe të dukemi sikur po punojmë për fshatin. Në fakt është një gjë transformuese për jetën e fshatit, që unë e besoj shumë dhe do t’iu inkurajoja të vazhdoni në këtë rrugë”. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.