SOFT NEWS  – Para që bien nga qielli… ëndrra bëhet realitet në Nju-Jork

UASHINGTON, 15 dhjetor /ATSH-AFP/ – Rreth 300.000 dollarë ishte shuma e raportuar e humbur një ditë pas një situate të pazakontë, kur nga një furgon i blinduar fluturuan në ajër disa çanta me kartëmonedha, duke shkaktuar bllokim të trafikut dhe aksidente në një autostradë të Nju-Xhersit, në verilindje të SHBA-së, sipas disa medieve.

Dyert e automjetit janë hapur për arsye ende të panjohura dhe dy çanta me kartëmonedha 100 dollarëshe nisën të shpërndahen në asfalt.

Drejtues të shumtë të mjeteve aty pranë janë ndalur për të mbledhur paratë, duke shkaktuar aksidente të lehta, njoftoi policia e East Rutherford në Twitter.

Sipas NBC News, dy çantat përmbanin 510.000 dollarë, ku vetëm shuma e 205.000 dollarëve është mundur të mblidhet.

Deri tani mungojnë ende edhe 293.535 dollarë, njoftoi policia e këtij qyteti në periferinë perëndimore të Nju-Jorkut, duke specifikuar se rreth 11.000 dollarë ishin dorëzuar nga persona që kishin mbledhur kartëmonedhat./ /v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.