SHËNDETËSI – Lodrat me plastikë të butë përmbajnë nivel të lartë lënde toksike

LONDËR, 15 dhjetor /ATSH-DPA/ – Disa produkte me plastikë të butë për fëmijë në shitje për Krishtlindje në dyqanet e lodrave në Britaninë e Madhe mbajnë kimikate toksike katër herë më shumë nga sa lejohet nga standardet e BE-së, njoftoi sot një grup i mbrojtjes së konsumatorit.

Shoqata Britanike e Konsumatorit “Which?” testoi 13 produkte plastike të blera në dyqanet në Britani të Madhe dhe zbuloi se niveli i boronit në gjashtë prej produkteve i kalon standardet e BE-së për lodrat.

Boroni është një element kimik që mund të gjendet në ilaçe dhe produkte për pastrimin e shtëpisë.

Standardet e BE-së kërkojnë që niveli i boronit të jetë 300 miligramë për një kilogram lodra plastike të butë.

Studimet shëndetësore kanë treguar se ekspozimi ndaj një niveli të lartë boroni mund të shkaktojë alergji, diarre dhe të vjella, si dhe mund të dëmtojë fertilitetin ose të dëmtojë fëmijët që s’kanë lindur. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.