Kryemadhi: Të hënën t’i bashkohemi protestës së studentëve

TIRANË, 15 dhjetor/ATSH/ Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ftoi sot strukturat e kësaj partie që të hënën t’i bashkohen protestës së studentëve.

Në një takim me strukturat e LSI-së në Durrës, Kryemadhi u shpreh se “kërkesat e studentëve janë minimale dhe se ata nuk kanë se çfarë të diskutojnë me Ramën”.

“Nuk mund të ketë dialog. Ne kemi shansin për t’i dhënë shpresë rinisë dhe popullit shqiptar”, tha Kryemadhi, duke ftuar sërish anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së që t’i bashkohen të hënën protestës.

Po ashtu ajo e konsideroi “fakmëkeq” projektin e Unazës së Madhe, që sipas saj, është korruptiv dhe abuziv.

“Një vjedhje e plotë, e drejtpërdrejtë e shqiptarëve. Prishen 640 shtëpi dhe nxirren në rrugë të madhe mbi 1 mijë familje. Projekti i Unazës së re duhet anuluar. Grupi i LSI-së do të bëj padi në gjykatë dhe prokurori për anulimin e gjithë projektit të Unazës së re, sepse është vjedhje dhe korrupsion”, tha Kryemadhi./m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.