Kosovë, udhëtim në zemrën e Ballkanit

TIRANË, 15 dhjetor/ATSH/- Ju ka ndodhur ndonjëherë të ktheheni në një vend dhe të keni një kujtim edhe më të bukur sesa hera e parë që e keni vizituar?

Mua më ndodhi me Kosovën. Pas udhëtimit pranverën e kaluar, rreth dy javë më parë kisha kënaqësinë të kthehesha dhe të zbuloja destinacione të reja.

Kështu shkruan gazetarja italiane, Francesca Masotti në artikullin e publikuar në blogun e saj “Letters from the Balcans”.

Për fat të keq, Kosova vështirë se shfaqet në listën e destinacioneve të udhëtimit, a e keni vënë re? Shumë as që e dinë se ku është, të tjerë mendojnë se lufta ende nuk ka përfunduar. Kosova, pavarësisht se është gjeografikisht në Europë, në imagjinatën e përbashkët të europianëve është një vend “joeuropian”. Më bën të nënqesh (me hidhërim) injoranca e këtyre njerëzve. Nuk e dinë se në atë vend ka thesare të vërteta për t’u zbuluar, të tilla si qytetet e lashta në stilin osman, pazare historike, xhami të dekoruara që datojnë në vitet ‘400-‘500 dhe manastire orthodhokse të fshehura në pyje.

Të vizitosh pa nxitim dhe mbi të gjitha, pa ikur me turmat e turistëve. Në vend që të shkoni në Paris, Londër apo Romë, a do të vendosni, për një herë, të eksploroni destinacione të reja të panjohura?

A keni menduar ndonjëherë për këtë? Natyrisht, atje nuk ka monumente gjigante, kullë Eifel apo Koloseum, por Kosova ofron diçka shumë më të çmuar dhe të rrallë, të cilës, për fat të keq, ne ja kemi harruar rëndësinë, domethënë qytetërimin.

Pas udhëtimit të fundit, u ktheva në shtëpi me besimin se ky vend meriton më shumë se vëmendja që merr dhe se unë, në mënyrën time të vogël, do të bëj gjithçka që kam nevojë për t’i lejuar njerëzit të zbulojnë atë që ata kanë për të ofruar.

Dhe unë nuk jam vetëm duke iu referuar monumenteve historike, arkitekturave apo vendeve arkeologjike, të cilat janë atje, por i referohem para së gjithash një aspekti për të cilin Kosova është unike në peizazhin europian, pra në aspektin njerëzor. Po, sepse ndryshe nga ajo që ju mund të mendoni dhe pavarësisht asaj që thonë mediet, Kosova nuk është aspak një vend i rrezikshëm dhe banorët e saj janë njerëz që, të thuash të mrekullueshëm, është pak për të thënë. Njerëz mikpritës, të sjellshëm dhe të gatshëm për t’ju ndihmuar me çdo kusht.

Një udhëtim në Kosovë është një udhëtim në zemër të Ballkanit, në një vend që ende mban plagët e thella të një lufte të fundit dhe të spastrimit etnik tragjik, por që duket me shpresë për të ardhmen. Në këtë artikull do t’ju çoj në zbulimin e Prizrenit, Gjakovës dhe Deçanit, tri bizhuteritë që secili duhet t’i përfshijë në itinerarin e tyre të udhëtimit në Gadishullin Ballkanik. (Një falënderim i veçantë për miken time Blerina që më udhëzoi në qytetin e Gjakovës, një xhevahir i panjohur për shumicën e njerëzve, ku do të doja të kthehesha së shpejti, ndoshta në sezonin e bukur).

Prizreni, kryeqyteti kulturor i Kosovës

Prizreni është një nga qytetet më interesante në Ballkan. Unë tashmë kam pasur rastin të flas për këtë në blog, por sa herë që kthehem, gjithmonë është një kënaqësi dhe nuk mund të mos shkruaj për këtë përsëri. Është destinacioni më i njohur në Kosovë dhe nuk është e vështirë të kuptohet pse: Prizreni është një gur i çmuar, me shtëpi në stilin otoman, kisha orthodhokse, kisha katolike dhe xhami të lashta. Për t’i admiruar ato të gjithë së bashku ju duhet të ngjiteni në majën e Kështjellës së Prizrenit. Mundohuni ta arrini vetëm para lutjes islame dhe shfaqja është e garantuar.

Qendra historike është mjaft e mbledhur dhe mund të vizitohet në këmbë.
Mos humbisni një vizitë në xhaminë e Sinan Pashës, një nga shembujt më të bukur të arkitekturës otomane në Kosovë që daton në 1615, me piktura të shkëlqyera si në kupolën kryesore të brendshme, ashtu dhe në pjesët e jashtme. Hyrja në xhami është e lirë, kushdo mund ta vizitojë atë, dera është gjithmonë e hapur. Vetëm hiqni këpucët dhe lërini ato në dollapin e duhur përpara se të hyni. Pasi të dilni, shkoni në pjesën e prapme të xhamisë, ku ka burim me ujë të shenjtë, që besimtarët e përdorin për të larë duart para se të luten dhe disa dyqane suveniresh që shesin tapete tradicionale të mrekullueshëm me modele gjeometrike, gota çaji, kafe turke dhe artikuj të ndryshëm për shtëpinë.

Pika të tjera me interes në qytet janë Kisha e San Giorgio, Kisha e Shpëtimtarit të Shenjtë, Ura e Gurit dhe Banja Turke. Merrni pak kohë për të eksploruar rrugët e ngushta të qytetit të vjetër dhe ndaluni për kafe dhe bakllava, shumë të mira në bar “Cremeria”.

Pak kuriozitet: A e dini se në Prizren fliten zyrtarisht tri gjuhë? Përveç gjuhës shqipe dhe serbe, edhe turqishtja flitet në Prizren, veçanërisht në mesin e të moshuarve. Ky lajm është shumë interesant. Në fakt, një nga gjërat që më pëlqen më shumë për Ballkanin është përzierja e grupeve të ndryshme etnike dhe feve dhe Kosova, së bashku me Bosnjen, është shembulli më i rëndësishëm.

Gjakova, thesar i papritur

Ndalesa e dytë në atë udhëtim ishte Gjakova, një qytet që dëshiroja të vizitoja për një kohë të gjatë. Para se të flas për pikat me interes turistik, do të doja të hapja një kllapë të përshtatshme. Gjakova është qyteti që, më shumë se çdo tjetër ka vuajtur gjatë konfliktit në Kosovë. Këtu ka ndodhur një nga faqet më të errëta të historisë bashkëkohore: Në pranverën e 1999 mijëra burra shqiptarë të Kosovës u vranë në ekzekutime masive dhe qindra gra u dhunuan nga trupat serbe të udhëhequra nga Millosheviçi.

Këtu, në këtë qytet pranë kufirit me Shqipërinë, u regjistrua numri më i madh i viktimave dhe të i humburve në luftë, numri i saktë i të cilëve nuk dihet ende.

Përveç këtyre ngjarjeve tragjike, qyteti gjatë konfliktit u shkatërrua pothuajse tërësisht nga faqet e ushtarake dhe të rëndësishme serbe dhe lagje historike, si Çarshia e Madhe, janë rindërtuar disa vite më parë.

Ju do të mendoni se kjo temë nuk ka të bëjë fare me temën e blogut, që është udhëtimi.

Por, vizita në Kosovë nuk është si të shkosh në Ibiza ose Mykonos, prandaj sipas mendimit tim është gjithashtu e nevojshme të flasësh për këto gjëra. Për t’u thelluar në këto ngjarje, unë ju këshilloj të lexoni, ndër të tjera, këtë artikull prekës nga “The Guardian”: “After two decades, the hidden victims of the Kosovo war are finally recognised”.

Gjakova ishte një surprizë. A e dini se tregu më i madh në Ballkan ndodhet këtu? Nuk e dija, por në fakt, pazari i Gjakovës është i madh dhe është shumë i bukur, i rinovuar plotësisht kohët e fundit për arsyet e përmendura më lart. Sot, ka dyqane prej druri të artizanëve lokalë, bare, kafene, restorante, arti rrugor dhe gjatë mbrëmjeve të verës, kthehet në një nga ndalesat më të preferuara të banorëve dhe turistëve që vizitojnë Kosovën. A e dini se këtu është gjithashtu një nga xhamitë më të vjetra në Gadishullin e Ballkanit? Është xhamia Hadum, xhevahiri i vërtetë i Gjakovës, një ndërtesë që daton në fund të shekullit të 16-të dhe gjendet në tregun e vjetër. Është xhamia më e bukur që kam parë në udhëtimet e mia në Ballkan, e dekoruar me zbukurime të imëta, me kupola plumbi dhe një kopsht ku ndodhen shkëmbinjtë kryesorë të pjesëtarëve më me ndikim të bashkësisë myslimane në qytet.

Pak larg nga pazari i vjetër janë dy ndërtesa shumë të rëndësishme katolike, përkatësisht kisha e Shën Pjetrit dhe Palit dhe Kisha e Shën Antonit të Padovës: A e dini se në Gjakovë jeton komuniteti më i madh katolik në Kosovë? Ky vend është plot me surpriza.

Manastiri Visoki Deçan, dimension sureal

Rreth 20 minuta me makinë nga Gjakova është Manastiri i Deçanit, një vend i UNESCO-s dhe një nga ndërtesat fetare orthodhokse më të rëndësishme të Kosovës. I ndërtuar nga myslimanët dhe të krishterët për bukurinë e tij arkitektonike, manastiri i ka mbijetuar dekadave të luftërave dhe konflikteve. Edhe vetë pozicioni në të cilin ndodhet është spektakolar, i fshehur si në një pyll në fillim të kanionit të Deçanit.

Pasi mbaron kontrolli (pas disa sulmeve kundër manastirit nga nacionalistët shqiptarë të realizuar disa vjet pas përfundimit të luftës, manastiri është nën mbrojtjen e trupave të KFOR-it, të cilët kërkojnë dokumentet për vizitën) dhe pasi kalon derën prej hekuri, habia vazhdon: përshtypja është se ato janë katapultuar në një dimension sureal. Kisha madhështore e shekullit të katërmbëdhjetë me mermer të bardhë, e vendosur në një lëndinë të gjelbër rrethohet nga një atmosferë qetësie, që për një çast ju bën të harroni që jeni në Kosovë.

Afresket brenda kishës janë thjesht të mrekullueshme. Për fat të keq nuk është e mundur të fotografoni në ambientet e brendshme, nëse nuk keni marrë një leje të veçantë. Historia e manastirit daton në gjysmën e parë të shekullit të 14-të. Prania e këtij monumenti orthodhoks dhe manastireve të tjera të lashtanë territorin e Kosovës, si ato të Graçanicës dhe Pejës, është një nga arsyet kryesore për pavarësinë e kontestuar të Kosovës nga ana e Serbisë, e cila e shikon këtë shtet si krahinën e vet, pasi aty gjenden disa nga monumentet kryesore të shenjta të orthodhoksisë serbe. Në fund të vizitës priftërinjtë e manastirit u ofrojnë vizitorëve kafe dhe ëmbëlsira të shijshme. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.