FOTO/ ”Identitet” sipas të rinjve përmes pikturës, fotografisë dhe instalacionit

TIRANË, 15 dhjetor /ATSH/ – Ekspozita me temë ”Identitet” është çelur për publikun pranë Qendrës Rinore të Tiranës.

Nxënësit e klasave te 10-ta, 11-ta dhe 12-ta të shkollës ndërkombëtare World Academy of Tirana kanë paraqitur 35 punime të tyre të krijuara në lëndën e Artit Pamor.

Ata janë prezantuar me krijime të tyre origjinale duke përdorur teknika të ndryshme në vizatim, pikturë, fotografi, instalacion dhe teknika mikse. Nxënësit e kanë trajtuar temën e ”Identitetit” në këndvështrime të ndryshme, sa krijuese aq edhe inovatore, duke evidentuar aspekte të ndryshme të identitetit si statusi, rizbulimi, dilemat, modelet, ndryshimet, pasiguritë etj.

Përveç funksionit shprehës, punimet e paraqitura mbartin edhe funksionin konceptual, ku ideja ose koncepti pas secilës punë është më i rëndësishëm se sa objekti.

Një nga elementët kryesore të organizimit të ekspozitës është transparenca, e përdorur në mënyrë të përsëritur. Perdet ndarëse transparente krijojnë seksione të veçuara brenda hapësirës së madhe. Punimet shihen në fokus duke krijuar një marrëdhënie mes tyre, që lidhet me konceptet e ekspozitës, duke nxjerrë në pah kontrastin midis individualitetit dhe marrëdhënies ndërpersonale.

Ekspozitat e artit pamor janë pjesë e rëndësishme e programit të shkollës World Academy of Tirana. Nxënësit kanë mundësi të shpalosin kreativitetin dhe natyrën e tyre kërkuese përballë audiencës. Qëllimi i ekspozitave dhe aktiviteteve të tjera artistike është të inkurajojë nxënësit për t’u familjarizuar me të gjitha hapat e procesit krijues deri tek ekspozita. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.