BRUKSEL – BE: Turqia të abstenojë nga çdo veprim i njëanshëm në Siri

161

BRUKSEL, 15 dhjetor /ATSH-AFP/ – Shefja europiane e Diplomacisë, Federica Mogherini i kërkoi sot Turqisë që të abstenojë nga çdo veprim i njëanshëm në Siri, ku Ankaraja kërcënon të fillojë një ofensivë të re kundër një milicie kurde të mbështetur nga Uashingtoni.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, vendi i të cilit ka zhvilluar që prej vitit 2016 dy ofensiva në veri të Sirisë, njoftoi të mërkurë se një operacion i ri do të fillojë në ditët në vijim, që do të shënjestrojë pozicionet e milicive të Njësive të Mbrojtjes së Popullit (YPG) në lindje të Eufratit.

“Pres nga autoritetet turke që të abstenojnë nga çdo veprim i njëanshëm që mund të dëmtojnë përpjekjet e koalicionit kundër ISIS-it”, theksoi Mogherini në një deklaratë të shkruar të botuar sot.

Duke gjykuar se lufta kundër xhihadistëve të ISIS-it ka hyrë në fazën e saj përfundimtare, Mogherini i bëri thirrje të gjitha palëve që “të përpiqen të presin fundin e humbjes së tyre të shpejtë, që është një objektiv i domosdoshëm për çdo zgjidhje të qëndrueshme ndaj krizës siriane”.

Një operacion ushtarak turk do të ishte potencialisht i rrezikshëm për shkak të pranisë së ushtarëve amerikanë në krahë të luftëtarëve kurdë.

Turqia dhe SHBA-ja janë dy aleatë në NATO, por marrëdhëniet e tyre janë tensionuar vitet e fundit, kryesisht për shkak të bashkëpunimit mes Uashingtonit dhe forcave kurde YPG që ka sjellë zemërimin e Ankarasë. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.