Arrestohet një shtetas kinez në Rinas, i sekuestrohen 80 mijë euro

TIRANË, 15 dhjetor /ATSH/ – Policia kufitare e Rinasit sekuestroi 80 mijë euro, 2900 jen kinez, si dhe 76.000 lekë.

Policia Kufitare e Rinasit në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Masave të përbashkët me Degën e Doganës Rinas, kanë ushtruar kontrolle të përbashkëta në pasagjerët e linjave ajrore me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Si rezultat i kontrolleve është përzgjedhur për kontroll në vijën e dytë shtetasi kinez J. L., 43 vjeç, lindur në Kinë dhe me banim të përkohshëm në Tiranë (me leje qëndrimi), të cilit gjatë kontrollit në bagazhin e dorës dhe në trup ju gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 80 mijë euro, 76.000 lekë dhe 2900 jen kinez.

Po gjatë kontrollit në bagazhet e dorës ju gjetën edhe 9 steka me paketa cigaresh pa pullë fiskale.

Shtetasi J.L., në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë për veprat penale “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, parashikuar nga neni 179/a i Kodit Penal.

Policia e Shteti bën me dije se gjatë vitit 2018 janë evidentuar dhe goditur 13 raste të mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi. /o.l/./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.