Remitancat vlerë e shtuar në ekonominë shqiptare

 

TIRANË, 14 dhjetor /ATSH/-Banka e Shqipërisë, ministri i Shtetit për Diasporën dhe ministria e Financave dhe Ekonomisë, organizuan sot në Tiranë, takimin e dytë të nivelit të lartë mbi remitancat e diasporës shqiptare, në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit “Për Remitancat” të nënshkruar vitin e kaluar mes këtyre institucioneve.

Qëllimi i takimit është diskutimi mbi zhvillimet e arritura përgjatë vitit të parë pas nënshkrimit të Memorandumit, si dhe synimet dhe nevojat për ndërhyrje të përbashkëta në të ardhmen, për përfshirjen e diasporës dhe emigracionit në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e vendit.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, theksoi rëndësinë e remitancave në ekonominë shqiptare, në mirëqenien e familjeve dhe zhvillimin në përgjithësi.

Ai u shpreh se gjatë vitit 2018, Banka e Shqipërisë, përmes burimeve të saj, është angazhuar seriozisht në krijimin e parakushteve të nevojshme për kanalizimin sa më efikas të këtyre të ardhurave në ekonominë shqiptare.

Në vijim, Guvernatori Sejko shtoi se duke iu referuar nismave ndërkombëtare në fushën e remitancave, evidentohet rëndësia e reduktimit të kostove dhe rritja e efikasitetit të shërbimeve për dërgesat. Ai nënvizoi se, gjatë këtij viti, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë projektesh për analizimin e tregut vendas, me qëllim identifikimin dhe adresimin e nevojave për ndërhyrje.

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori Sejko tha se në të ardhmen, Banka e Shqipërisë do të vijojë me zhvillimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe përmirësimet infrastrukturore, të cilat mbështesin përfshirjen financiare e reduktojnë kostot e përdorimit të këtyre instrumenteve, si dhe shprehu besimin se përpjekjet e të gjithë aktorëve do të vijojnë me të njëjtat ritme për përfshirjen sa më të shpejtë e të gjerë në ekonominë e vendit, të këtij faktori mjaft me rëndësi si remitancat.

Ndërsa ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko theksoi se, remitancat përbëjnë një mundësi tregu me bazë fitimprurjeje. Tërheqja e nivele të rritura të tyre nëpërmjet promovimit transfertave me kosto më të ulët do të lehtësonte shfrytëzimin e rrjedhave hyrëse të parave. “Në këtë cështje roli i bankave është i pazëvendësueshëm”, tha ai.

Më tej, takimi vijoi punimet në nivel teknik, ku të pranishmit patën mundësi të diskutojnë lidhur me angazhimet dhe nismat e së ardhmes.

e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.