Rama-studentëve: PO për 8 pikat, dialogojmë


TIRANË, 14 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ “Kërkesat e studentëve janë të realizueshme por për këtë nevojitet dialog”, deklaroi dje në mbrëmje Kryeministri Edi Rama, ndërsa theksoi se “kushti i vetëm është që të mos bëjmë asnjë shpikje”.

Nga studioja e emisionit “Opinion”, Kryeministri iu përgjigj dje në mënyrë telegrafike secilës prej 8 kërkesave të studentëve, ndërsa theksoi faktin se ato janë të realizueshme, por për këtë nevojitet dialog.

Më poshtë përgjigjja e Kryeministrit për secilën nga pyetjet:

1-Rritja e buxhetit me 5 % e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

Rama: Rritja e buxhetit 5% ha diskutim më shumë. Që të rrisësh buxhetin për arsimin duhet të ulemi dhe ta diskutojmë, të kemi të qartë se çfarë dhe kur. Sa i takon tarifave unë jam për tarfia të shkallëzuara, duke filluar me përgjysmimin për të gjithë në fazën e parë, edhe ata me 4-a dhe 5-a do t’i mbështesim me tarifë të përgjysmuar duke i dhënë kohë të dalin nga zona ku nuk nuk i nevojiten familjes dhe shoqërisë.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

Rama: Transparenca me buxhetin duhet të ishte fakt dhe nuk është. Disa universitete e bëjnë.

3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

Rama: Këtë nuk e ka asnjë vend. Kjo nuk është lojë kungulleshkash. Jam dakord në parim, por duhet të ulemi të dialogojmë se kush e ka. Asnjë shpikje nuk pranoj të bëhet.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

Rama: Rishikimi i titujve akademik dhe verifikimi i plagjiaturave është një problem i madh. 3 vite më parë me autonominë, universiteti duhet ta kishte bërë propozimin. Por duhet të ulemi. Doktoraturat janë pasuri kombëtare dhe një kopje duhet të arkivohet në Bibliotekën e Kombit. Ne do t’i themi të gjithë doktorëve dhe shkencëtarëve që të dixhitalizojnë doktoraturën dhe kemi filluar punën që të kemi mekanizmin që kalon në filtër.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillet e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

Rama: Shpikje nuk do bëjmë. Jam në parim të diskutohet. Në momentin që fillon ky proces jo vetëm që do të dëgjojmë edhe shumë gjëra të tjera se këto janë minimale. Do të dëgjojnë shumë të tjera nga unë si protestues. Kushti i vetëm është se shpikje nuk ka.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse).

Rama: Pajisja me Kartën e Studentit duhet të ishte bërë edhe këtë do ta bëjmë, do ta fillojmë menjëherë.

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

Rama: Biblioteka dixhitale shkencore e universitetit është gati në janar.

8-Vlerësim i performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve.

Rama: Vetingu i pedagogëve duhet diskutuar. “Po”, nuk diskutohet, por si?

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.