Janar–nëntor 2018: Në portin e Durrësit janë përpunuar mbi 3.3 milionë tonë mallra

-Përpunohen 504 anije dhe 924 tragete-

TIRANË, 14 dhjetor/ATSH/- Gjatë 11-mujorit të parë të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar mbi 3.3 milionë tonë mallra.

Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në Autoritetin Portual Durrës mësohet se importet kanë shënuar një rritje prej 3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Anijet dhe tragetet kanë transportuar 2.232.550 tonë mallra importi, ndërsa eksportet regjistruan vetëm 1.077.964 tonë mallra.

Tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona e kthim, kanë transportuar mbi 805 mijë tonë mallra me kamionë dhe trajlera, me një rritje prej 7%, ndërsa anijet tregtare me mbi 2.5 milionë tonë mallra, kanë pësuar një rënie në krahasim me periudhën 11-mujore të vitit të kaluar.

Gjatë periudhës janar-nëntor 2018 në të tre terminalet e mallrave janë përpunuar 504 anije tregtare, ndërsa në Terminalin e Trageteve janë përpunuar 924 tragete, të cilat përveç udhëtarëve transportojnë edhe mallra me kamionë dhe trajlera. /k.s/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.