INSTAT: Punësimi në sektorin e turizmit u rrit me 21,3%

TIRANË, 14 dhjetor /ATSH/- Rritja e numrit të turistëve vitin e fundit i ka dhënë një hov cilësor zhvillimit të sektorit të turizmit, hotelerisë dhe punësimit në vendin tonë.

INSTAT bën të ditur se, për sektorin e shërbimeve, (hoteleri turizëm) indeksi i shitjeve shënoi rritje 37,0%, krahasuar me tremujorin e tretë 2017, duke shënuar sektorin me rritje më të lartë në ekonomi në këtë periudhë.

Rritja e shitjeve është shoqëruar dhe me më shumë të punësuar. Sipas INSTAT, indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rritje 21,3 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2017, ndërsa indeksi i fondit të pagave shënoi rritje 20,9 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2017.

Shqipëria vitet e fundit, po qëndron në fokus edhe të mediave të huaja, çka ka nxitur shtimin e turistëve. Sipas BSH-së, numri i shtetasve të huaj që hynë në vendin tonë gjatë vitit 2018 arriti në rreth 5.4 milionë, duke u rritur me 17,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Fluksi në rritje i turistëve ka pasur rritje progresive zinxhirë edhe rritjen e investimeve, pronotimeve dhe zgjatjen e sezonit turistik nga maji deri në tetor. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.