Elbasan/ Miratimi i buxhetit, mblidhet Këshilli për Zhvillim Ekonomik Vendor

TIRANË, 14 dhjetor/ATSH-Megi Zonja/ – Ulja e taksave dhe tarifave vendore nga ana e bashkisë së Elbasanit ka bërë që bizneset në këtë qytet të shtohen ndjeshëm. Bashkia e Elbasanit bën me dije se janë 8025 biznese të cilat gjenerojnë të ardhura nga detyrimet që ata paguajnë. Rritja e numrit të bizneseve ka ardhur gjithashtu dhe si pasojë e investimeve të bëra në qytet dhe fshat. Një biznes e ka shumë më të lehtë të zhvillojë aktivitetin e tij në një zonë të rregulluar, të sistemuar dhe me të gjitha shërbimet që një bashki plotëson.

Kryetari i bashkisë së së Elbasanit, Qazim Sejdini theksoi se “bashkia e Elbasanit ka mbajtur tarifa në nivel të ulët e minimal, por ka synuar dhe ka rritur bazën e tatimpaguesve, duke e shpërndarë në mënyrë më të drejtë barrën fiskale”.

Deklaratat e kreut të bashkisë Elbasan u bënë gjatë mbledhjes se Këshillit për Zhvillimin Ekonomik Vendor në këtë bashki, i cili u bë në prag të miratimit të dokumentit më të rëndësishëm vjetor, buxhetit të bashkisë. Takimi është organizuar nga Drejtoria për Zhvillim Ekonomik e bashkisë së Elbasanit me mbështetjen e projektit të USAID-it, për Planifikimin e Qeverisjes Vendore, PLGP. Takimi me Këshillin Ekonomik synon të parashtrojë përparësitë për investime, nevojat më emergjente të komunitetit, por edhe të biznesit.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.