Ambasadorja Yu: Marrëdhëniet kino-shqiptare me vitalitet të ri në epokën e re

TIRANË, 14 dhjetor/ATSH/- Investimet e akumuluara kineze në Shqipëri janë dyzetëfishuar, duke u rritur nga më pak se 20 milionë USD të vitit 2014 në më shumë se 800 milionë USD në fund të vitit 2017, gjë e cila bëri Kinën burim kryesor të investimeve të huaja në Shqipëri.

Kështu u shpreh ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Jiang Yu, në një takim me gazetarët në përfundim të mandatit të saj në Shqipëri.

“Vëllimi i tregtisë dypalëshe u rrit me 18% dhe Kina mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë. Bashkëpunimet në transport, energji dhe minerale kanë nxjerrë rezultate të reja, ndërsa burimet njerëzore, bujqësia dhe turizmi u bënë pikat e reja të rritjes së bashkëpunimit”, tha Yu.

Sipas saj, sivjet, për herë të parë, Shqipëria ka hequr vizat për turistët kinezë gjatë sezonit turistik dhe numri i turistëve kinezë që kanë vizituar Shqipërinë është rritur prej 64%, krahasur me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Duke folur për për marrëdhëniet mes dy vendeve, Yu, u shpreh se “gjatë tre viteve të fundit, nën drejtimin strategjik të udhëheqësve dhe me përpjekjet e përbashkëta të qarqeve të ndryshme të dy vendeve tona, marrëdhëniet kino-shqiptare janë zhvilluar në mënyrë të gjithanshme dhe të shpejtë”.

“Shkëmbimet midis institucioneve ligjvënëse dhe partive të dy vendeve janë aktive, duke u bërë platforma e rëndësishme për rritjen e komunikimit dhe mësimit reciprok, për nxitjen e bashkëpunimit me interesa të ndërsjellta dhe për trashëgimin e miqësisë tradicionale”, tha ambasadorja.

Së dyti, vijoi ajo, bashkëpunimet pragmatike kanë pasuruar përmbajtjet e marrëdhëniet dypalëshe në mënyrë të konsiderueshme.

“Gjatë tre viteve të fundit, të dyja palët nënshkruan në total 28 dokumente bashkëpunimi në 17 fusha. U mbajt takimi i parë të Komisionit të Përbashkët ekonomiko-tregtar mes dy qeverive në Kinë pas ngritjes së kësaj platforme nga niveli i drejtorit në nivelin e ministrit, e cila është bërë platforma më e lartë për forcimin e komunikimit të politikave dhe për zgjerimin e bashkëpunimit pragmatik”, nënvizoi Yu.

Së treti, tha ajo, miqësia midis popujve është baza dhe forca e qëndrueshme nxitëse e marrëdhënieve kino-shqiptare.

“Shkëmbimet njerëzore dhe kulturore janë në zhvillim e sipër, me një prirje të mirë të ndërveprimeve. Është nënshkruar marrëveshja për vendosjen e Qendrës Kulturore Kineze në Shqipëri, e cila do të bëhet një skenë më e gjerë për shkëmbime kulturore. Rrjeti i mësimit të kinezishtes në Shqipëri dhe ai i mësimit të shqipes në Kinë po zgjerohen ditëpërditë. Universitetet e dy vendeve kanë nënshkruar shumë dokumente bashkëpunimi, duke çuar shkëmbimet mes tyre në rrugën e re”, tha ndër të tjera Yu.

Ambasadorja kineze evidentoi se “vitet e fundit, marrëdhëniet kino-shqiptare kanë patur zhvillim të konsiderueshëm, nga i cili mund të nxjerrim disa eksperienca të çmuara që vlejnë të analizohen dhe të promovohen. Së pari, bazuar në themelet e thella të vullnetit publik të dy vendeve, formohet dhe trashëgohet vazhdimisht konsensusi i gjerë i miqësisë kino-shqiptare nëpër breza”.

Ajo theksoi se “Kina gjithmonë mbetet si një mik i sinqertë dhe partner i besueshëm i Shqipërisë. Zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve kino-shqiptare është në dobi të interesave të përbashkëta të dy vendeve dhe dy popujve tanë”.

“Po të shikojmë nga e ardhmja, pala kineze është e gatshme të bëjë përpjekje bashkë me palën shqiptare, të formojnë konsensusin e ri, grumbullojnë energji të reja nxitëse, dhe me rastin e 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona, të forcojnë më tej komunikimin e politikave dhe besimin politik, duke shfrytëzuar plotësisht platformën ‘Një Brez, Një Rrugë’ dhe mekanizmat e Bashkëpunimit 16+1, të thellojnë dhe zgjerojnë bashkëpunimet pragmatike, të konsolidojnë bazën miqësore shoqërore, të frymëzojnë potencialin e bashkëpunimit, për të çuar marrëdhëniet kino-shqiptare në nivel akoma më të lartë”, nënvizoi Yu.

Ambasadorja në fund të takimit shprehu mirënjohjen për mediet dhe miqtë e qarqeve të ndryshme shqiptare.

“Kudo të jem unë, si gjithmonë, do të përkujdesem dhe mbështes kursin e miqësisë kino-shqiptare, dhe t’i jap kontributin tim të mundshëm”, tha ambasadorja Yu. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.