Tarifa 100% nga shteti për personat me aftësi të veçanta

TIRANË, 13 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ “Tarifën e studimeve për personat me aftësi të veçanta duhet ta paguajë 100% shteti, – tha sot Kryeministri Edi Rama, duke shtuar se, – pikërisht për të përcaktuar tarifat sipas secilës kategori nevojitet dialogu”.

Në studion e emisionit “Opinion”, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj shqetësimeve të një studenti me statusin e të verbërit, i cili i kërkoi Kreut të Qeverisë arsyet e moszbatimit të arsimit falas për këtë kategori.

“Ndaj unë dua ta diskutoj, pasi unë nuk jam dakord të ketë përgjysmim tarifash për të gjithë njësoj. Duhet të jetë ndryshe për ata që marrin 9 dhe 10 dhe ndryshe për ata me 4 dhe 5, duhet të jetë ndryshe për familjet e pasura dhe ndryshe për familjet në nevojë; duhet të jetë ndryshe për ata që i kanë të gjitha shqisat, për të cilët unë propozoj që tarifën duhet t’ua paguajë 100% shteti, ndaj duhet të diskutojmë”, – tha Kryeministri.

Rama tha se “ligji ju njeh personave të verbër të drejtën e arsimit falas, ndërsa në nivelin master janë universitetet që duhet ta bëjnë këtë gjë dhe nuk e kanë bërë”. “Unë këtë e kam mësuar nga kjo protestë, ashtu sikurse kam mësuar edhe gjëra të tjera”, – tha Kryeministri.

Në këtë drejtim, ai sqaroi se “universiteti ka autonomi dhe vetëqeveriset, ndërsa qeveria e financon dhe monitoron aspektet financiare”. “Qeveria as nuk merr vendime për universitetin dhe as nuk ka detyrën të ndjekë të gjitha kategoritë brenda universitetit. Ju dhe kategori të tjera nuk keni marrë këtë periudhë atë që ju takon me ligj dhe kjo është shkelje dhe kthim i autonomisë në papërgjegjshmëri”, – tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi edhe vëmendjen e veçantë të qeverisë për personat me aftësi të veçanta.

“Kur unë kam ardhur në qeveri, asnjë fëmijë me aftësi të veçanta nuk kishte mësues ndihmës. Sot me buxhetin e ri kemi arritur në 700 mësues ndihmës të personalizuar për fëmijët me aftësi të veçanta”, – tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.