Rikonstruktohet rruga Agim – Babunjë në Divjakë

TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ – Ka filluar puna për rikonstruksioni e rrugës Agim – Babunjë, 4,35 km që lidh dy zona bujqësore të bashkive Divjakë dhe Fier.

Ky është një investim i qeverisë shqiptare nëpërmjet programit investimeve në projekte me impakt të lartë në zhvillimin dhe promovimin e turizmit, që zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Sipas FSHZH, në këtë segment deri më sot nuk ka pasur asnjë ndërhyrje të thellë dhe është trajtuar vetëm me çakëll. Rruga aktuale është tepër e ngushtë dhe kalohet vetëm me mjete të vogla, shkëmbimi i të cilave është thuajse i pamundur.

FSHZH sqaron se projekti parashikon zgjerimin e rrugës dhe ndërtimin e dy korsive lëvizëse me gjerësi 2,75 metra, si dhe bankina në të dy anët, pajisjen me sinjalistikë vertikale dhe horizontale.

Rruga është projektuar të ndërtohet sipas parametrave më të mirë të lëvizshmërisë dhe sigurisë rrugore.

Parashikohet qe investimi do të ndihmoje fermerët e fshatit Agim, të kenë akses në tregun e Divjakës, që është edhe më i afërti për ta. /o.l/./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.