Rama: Partitë politike financojnë një grup studentësh

TIRANË, 13 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ “Ka një ndarje të qartë mes studentëve protestues që janë vendosur para kryeministrisë dhe që janë të financuar nga partitë politike, me studentët e tjerë”.

Kështu deklaroi sot në mbrëmje Kryeministri Edi Rama nga studio e emisionit “Opinion” në Tv Klan.

“Ata që janë përpara kryeministrisë mund të rrinë te zjarri 10 vjet. Unë flas për mijëra e mijëra studentë të tjerë që kanë ngritur këto kërkesa dhe kanë të drejtë t’i kërkojnë, por nuk pranojnë dialog. Problem do të ishte nëse unë do thosha nuk pranoj të dialogoj. Në kohën e Saliut protestoje dhe haje plumbin ballit, këtu është kthyer bota përmbys, kryeministri thotë jam këtu për të dialoguar dhe studentët nuk pranojnë”, tha Rama, ndërsa shtoi se “ai nuk kërkon që studentët të ndalojnë protestën, por të dialogojnë”.

Po ashtu, Rama foli edhe për autonominë e universiteteve, ndërsa theksoi se  “autonomia universitare është një vullnet i yni dhe ne nuk kemi ndërhyrë asnjëherë në universitete”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.