Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend buxhetin 2019: Të reflektohen kërkesat e studentëve

TIRANË, 13 dhjetor/ATSH/- Presidenti Ilir Meta vendosi sot kthimin për rishyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të buxhetit 2019.

Në një njoftim për shtyp të Presidencës, theksohet se “Presidenti i Republikës Ilir Meta duke ndjekur me shumë vëmendje situatën politike më të fundit në vend, si dhe duke vlerësuar konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, të cilat janë konsideruar nga të gjithë aktorët politikë si, të drejta, legjitime dhe të realizueshme, duke synuar interesin më të mirë në përmbushjen e objektivave sociale të parashikuara në nenin 59 të Kushtetutës, si dhe në garantimin e stabilitetit në vend, me dekretin nr. 10997, datë 13.12.2018 ka vendosur “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”, me qëllim rishqyrtimin e tij”.

“Presidenti i Republikës, ka besimin e plotë se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve dhe interesit publik”, theksohet në njoftimin për shtyp të Presidencës. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.