LONDËR – Media: May arriti një fitore si e Pirros

LONDËR, 13 dhjetor /ATSH-AFP/ – Ajo fitoi një betejë, por jo luftën. Theresa May arriti të mbijetojë ndaj një vote mosbesimi të deputetëve të kampit të saj konservator, por maxhoranca e saj e pamjaftueshme nuk i lë shumë hapësirë për të lëvizur mbi Brexit, vlerëson sot shtypi britanik.

Për “Times”, rezultati i votës së organizuar dje në mbrëmje i mundëson kryeministres britanike “të fitojë kohë, por jo të fitojë ndonjë gjë tjetër”.

“Gati të gjitha problemet që ajo kishte dje, vazhdojnë të jenë aktuale”, përmbledh kjo e përditshme e djathtë, duke ngritur nevojën për të bindur një Parlament shumë dyshues mbi marrëveshjen e Brexit të arritur në fund të nëntorit me Brukselin.

Konservatorët sigurisht që nuk mund të kërkojnë ta largojnë për një vit. Por, kryetarja duhet të qëndrojë brenda linjave përballë kërcënimit të aleatit të saj irlandezo-verior, partia e vogël unioniste DUP, që ka kërcënuar se nuk do e mbështesë nëse marrëveshja miratohet pa modifikime në “dosjen e sigurisë” duke parashikuar si mundësi të fundit mbajtjen e Britanisë së Madhe në unionin doganor me BE-në për të evituar kthimin e një kufiri të ngurtë në ishullin e Irlandës.

“Për sa i përket lëshimit të saj për t’u tërhequr nga fushata e ardhshme legjislative në 2022, që prej fiaskos së vitit të kaluar, kur ajo humbi maxhorancën e saj absolute në zgjedhjet e parakohshme të cilat i kërkoi vetë, sido të ndodhte kjo nuk do të kishte qenë e mundur”, thekson “Times”.

E përditshmja proBrexit, “The Telegraph” qëndron në të njëjtin drejtim.

“Vota i mundëson të qëndrojë por kur do të largohet?”, ngre pyetjen kjo gazetë.

“Asgjë nuk duket të ketë ndryshuar, përveç se në një pikë thelbësore. Autoriteti i saj është dëmtuar pak më shumë”, shton “The Telegraph”.

Ashtu si “Times” edhe “The Telegraph” vendos një paralele me Margaret Thatcher, që ishte dorëzuar, pasi u dobësua nga një votë mosbesimi të cilën e kishte fituar që në raundin e parë.

Majtas, “The Guardian” konstaton se “Theresa May po rrëzohet nga madhësia e rebelimit të konservatorëve”.

Tabloidi konservator “The Sun” vlerëson gjithashtu se kryetarja ka dalë e “plagosur” nga e mosbesimit.

“Ajo është këmbëngulëse, por këmbëngulja është ndonjëherë idiote dhe e kotë. Mund të shpresojmë se kryeministrja jonë e di këtë”, shkruan “The Sun”.

Ndërsa tabloidi “Daily Mail”, që ka kaluar në mënyrë spektakolare nga një militantizëm eurofob në një pozicion më të moderuar me rastin e ndryshimit të kryeredaktorit, është një prej të rrallave që preferon ta shohë gotën gjysmë plot.

Theresa May ka arritur të mbledhë dy të tretat e partisë së saj pas vetes dhe gazeta shkruan: “tani lëreni të vazhdojë punën e saj”.

Theresa May do të marrë pjesë sot dhe nesër në një samit europian në Bruksel ku do të përpiqet të marrë nga krerët europianë garanci mbi marrëveshjen e Brexit për të kënaqur Parlamentin Britanik. /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.