Kreu i Kushtetueses, Bashkim Dedja, për herë të dytë në “sitën” e Vetingut

TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ – Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka shtyrë vendimin për gjyqtarin Bashkim Dedja për në datën 17 dhjetor, pasi disa çështje ligjore nuk janë të mirë sqaruara.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja doli sot në orën 10:00 përpara trupës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Pavarësisht se ishte konfirmuar në detyrë në muajin qershor nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Bashkim Dedja, iu nënshtrua për herë të dyte testit te vettingut.

Komisioneri Publik parashtroi gjatë seancës së sotme shkaqet e ankimimit. Komisioneri Publik argumentoi se Dedja ka deklarime të pasakta pasurie, fshehje të saj si dhe nuk justifikon dot pasurinë me të ardhurat e tij.

Konkretisht për blerjen e një apartamenti 98 m2 në Tiranë në vitin 1997 ka pasaktësi dhe mospërputhje të deklaratave ndër vite lidhur me çmimin e blerjes. Sa i takon së njëjtës pasuri, subjekti ka deklaruar se e ka blerë së bashku me të vëllanë, por sipas komisionerit publik asnjëri prej tyre nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme që e justifikojnë këtë blerje.

Po ashtu lidhur me një apartament 146 m2 dhe garazh 15.25 m2 po në Tiranë, komisioneri publik shprehet se ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme dhe dokumentacionit që ta justifikojnë blerjen e pasurisë.

Nga ana tjetër dyshohet për fshehjen e një apartamenti 60 m2 në Golem, që Dedja e kishte deklaruar vetëm në përdorim, por ku kontrata e furnizimit me energji rezulton ne emër të tij.

Ndërsa Dedja parashtroi kundërshtitë e tij ndaj ankimit të paraqitur si dhe kërkoi marrjen në shqyrtim si provë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, të disa dokumenteve që i depozitoi pranë trupit gjykues.

Trupi gjykues i vlerësoi provat dhe ftoi respektivisht komisionerin publik dhe subjektin e rivlerësimit, për kërkimet përfundimtare.

Bashkim Dedja e kaloi me sukses procesin e vettingut më 13 qershor, ndërsa komisioneri publik ankimoi vendimin më 26 korrik bazuar në rekomandimin e ONM, sipas të cilit Dedja nuk arrin një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë. /o.l/.j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.