Klosi: Jo vetëm kopsht, por edhe qendër sociale për Urën Vajgurore

TIRANË, 13 dhjetor/ATSH/ – Mbi 30 fëmijë të moshës 3-6 vjeç, në fshatin Pashalli të Beratit do të mësojnë në një kopsht krejtësisht të ri, me standarde bashkëkohore, falë investimit të rreth 20000 eurove nga Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), projekt i propozuar nga bashkia e Urës Vajgurore.

I pranishëm në përurimin e kopshtit, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi theksoi se “ne kemi bërë disa vepra, nuk është vetëm kjo, por kjo sot i shkon drejtpërdrejt fëmijëve të kësaj zone, si një nga prioritetet që ka pasur bashkia për problematikat sociale. Dhe më vjen mirë që arritëm të realizonim një kopsht me të gjitha kushtet, por që do të shërbejë edhe si qendër sociale për këto lagje të bashkisë së Urës Vajgurore”.

“Në kuadër të festave të fundvitit kemi ardhur këtu në Urën Vajgurore për të inauguruar një nga projektet e bashkëpunimit social nëpërmjet një kompanie që kreu një investim dhe do të vazhdojë të jetë prezente në bashkinë e Urës Vajgurore në të gjithë qarkun e Beratit, nëpërmjet funksionimit të sistemit të gazsjellësit”, nënvizoi Klosi.

Ministri Klosi u shpreh se “në bashkëpunim me kryetarët e bashkive të të gjithë qarkut arritëm të realizojmë disa vepra sociale, të cilat i ofrohen komunitetit”.

Menaxheri i TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri, tha se kopshti i ri është shembull i marrëdhënies që TAP ka krijuar me komunitetet dhe qeverisjen vendore, pasi investime të tilla nuk mund të realizohen pa bashkëpunimin e të gjitha palëve.

Kryetarja e bashkisë Ura Vajgurore, Berat, Juliana Memaj, tha se “ky kopsht i bashkëngjitet edhe 8 kopshteve të tjera, të bërë nga bashkia e Urës Vajgurore me të ardhurat e saj. Vetëm në fshatin Pashalli me këtë investim kemi realizuar 2 kopshte të reja”.

“Në buxhetin afatmesëm të vitit 2016-2019 ne kemi ndërhyrë duke i shtuar fëmijëve të komunitetit që ne përfaqësojmë ambiente të reja në sistemin parashkollor dhe jo vetëm, por edhe duke ndërhyrë në infrastrukturën e shkollave që shtrihen në territorin e bashkisë tonë”, theksoi Memaj. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.