BE – Moscovici: Zvogëlimi i deficitit nga Italia nuk është i mjaftueshëm

BRUKSEL, 13 dhjetor /ATSH-AFP/ – Komisioneri europian për Ekonominë, Pierre Moscovici i kërkoi sot Italisë përpjekje shtesë për buxhetin e saj 2019, duke e konsideruar të pamjaftueshme reduktimin e deficitit në 2,04% të njoftuar dje nga shefi i koalicionit populist në pushtet në Romë, Giuseppe Conte.

“Ky është një hap në drejtimin e duhur, megjithatë dua të them se ende nuk jemi, se ka ende hapa për të bërë, ndoshta nga njëra anë edhe tjetra”, theksoi komisioneri për Çështjet Ekonomike gjatë një dëgjese në Senat.

Shefi i qeverisë italiane, Giuseppe Conte, njoftoi dje se qeveria e tij i kishte propozuar Komisionit Europian një ulje në 2,04% të PBB-së të deficitit publik për vitin 2019, ndërkohë që në projektbuxhetin e refuzuar nga BE-ja deficiti ishte 2,4%.

“Komisioni Europian do të vlerësojë tani propozimet e marra këtë pasdite. Punimet do të vazhdojnë në ditët në vijim”, shpjegoi një zëdhënës i ekzekutivit europian.

Komisioni Europian kishte kundërshtuar më 23 tetor projektbuxhetin italian, duke e gjykuar jashtë normave europiane, duke arritur në pikën që të merrte parasysh edhe vendosjen e sanksioneve. /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.