Balla: Tre institucionet bazë të Drejtësisë së re, gati të fillojnë mandatin

TIRANË, 13 dhjetor/ATSH/- “Si qytetar, por edhe si kryetar i grupit parlamentar jam krenar që tre institucionet bazë të drejtësisë së re tashmë janë zgjedhur dhe janë gati për të filluar secila prej tyre mandatin”.

Kështu deklaroi sot në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

“Besoj që ky fund vit është një rast për të bërë një analizë të ecurisë së deritanishme të implementimit të reformës në drejtësi”, – tha Balla.

Kreu i grupit parlamentar u shpreh se “Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të fillojë brenda këtij viti, po të kemi parasysh afatet 8-ditore që lihen hapësirë për ndonjë kontestim”.

“Po ashtu brenda 10 ditëve të ardhshme do të kemi mundësi që të jetë e konstituuar qoftë KLGJ dhe Këshilli i lartë i Prokurorisë dhe që i hap rrugë pastaj plotësimit të gjithë vakancave të krijuara në Gjykatën Kushtetuese apo Gjykatën e Lartë, apo procesi i zgjedhjes më pas të Prokurorit të Përgjithshëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, por qoftë edhe të konstituimit të Prokurorisë Speciale Antikorrupsion që është një nga mekanizmat më të fortë”, – tha Balla. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.