Trajtim financiar suplementar për minatorët, metalurgët e naftëtarët

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/- Trajtim financiar suplementar, përfitojnë mbi 25 mijë punonjës që kanë punuar në miniera nëntokë, në industrinë e naftës, gazit dhe të metalurgjisë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hartuar një draft lidhur me ligjin “Për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës dhe gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji” ku janë bërë një sërë ndryshimesh.

Projektligji ka për qëllim të mbulojë me përfitime financiare, përpara kohës së mbushjes së moshës për pension, si dhe përfitime shtesë mbi ato që akordohen nga ligji “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për tre kategori mjaft të veçanta punonjësish, të cilët kanë punuar në miniera nëntokë, në industrinë e naftës, si dhe në punë me një shkallë vështirësie shumë të lartë në metalurgji.

Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, “në industrinë e naftës numri i personave që përfitojnë arrin në rreth 7000 punonjës, me një efekt financiar vjetor rreth 750 milionë lekë. Numri i përfituesve minatorë parashikohet të jetë rreth 16 mijë persona dhe efekti përllogaritet rreth 530 milionë lekë në vit ndërsa për metalurgjinë, numri i përfituesve parashikohet të jetë rreth 2500 me një efekt financiar rreth 250 milionë lekë”. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.