Shqipëria, përparim të dukshëm në integrimin e romëve dhe egjiptianëve

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ – Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në lidhje me përfshirjen e romëve dhe egjiptianëve, duke rritur qasjen në programet e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Komisioni Europian organizuan së bashku sot në Tiranë një seminar mbi përfshirjen sociale të komuniteteve rom dhe egjiptian. Ky ishte seminari i katërt i Romëve i organizuar në Shqipëri që nga viti 2011, i fundit u zhvillua në prill 2016.

Ministrja për Shëndetësi dhe Mbrojtje Sociale, Ogerta Manastirliu, dhe Marta Garcia Fidalgo, Këshilltare për koordinimin e politikës rome në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Europian bashkëkryesuan seminarin.

“Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në lidhje me përfshirjen e romëve dhe egjiptianëve, duke rritur qasjen në programet e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale. Megjithatë, edhe me këto figura inkurajuese mbetet shumë për t’u bërë për punësimin dhe integrimin social dhe ekonomik të këtyre komuniteteve. Prandaj besoj që platforma e dialogut publik që ne po zhvillojmë me shoqërinë civile, institucionet e pavarura dhe partnerët ndërkombëtarë është çelësi për ta maksimizuar këtë angazhim dhe për të mos lënë askënd pas”, tha ministrja Manastirliu.

Ndërsa shefi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadori Luigi Soreca theksoi se, “përfshirja sociale dhe ekonomike e romëve është një nga prioritetet e agjendës së zgjerimit të BE për Ballkanin Perëndimor dhe, në veçanti, për Shqipërinë. Ajo do të mbetet një prioritet themelor gjatë tërë procesit të pranimit. Bashkimi Europian, së bashku me partnerë të tjerë ndërkombëtarë dhe, shumë e rëndësishme, me përfshirjen aktive të Shoqërisë Civile, jo vetëm do të monitorojë nga afër, por do të mbështesë edhe zbatimin e politikave të lidhura me romët”.

Marta Garcia Fidalgo nënvizoi se përparimi në integrimin e romëve është i barabartë me përparimin në procesin e zgjerimit. Vetëm një veprim i përbashkët i koordinuar i të gjithë lojtarëve do të japë rezultate të qëndrueshme, tha ajo.

Përfaqësuesit e institucioneve kombëtare dhe lokale, OJQ-të, misionet diplomatike dhe organizatat ndërkombëtare morën pjesë në seminar dhe diskutuan arritjet e deritanishme, sfidat përpara dhe zgjidhjet e mundshme konkrete në fushat kryesore për integrimin e romëve dhe egjiptianëve: strehimi, arsimi, punësimi, kujdesin shëndetësor, regjistrimin civil dhe riintegrimin e të kthyerve.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.