Reforma Administrativo-Territoriale, 5 miliardë lekë më shumë në vitin 2019

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/- Qeveria për të tretin vit radhazi vazhdon mbështetjen për Reformën Administrativo-Territoriale dhe reformat e decentralizimit.

Buxheti i vitit 2019, për vetëqeverisjen vendore do të rritet me rreth 5 miliardë lekë ose 11% më shumë sesa fondet e vitit 2018, të cilat do shkojnë për më shumë investime dhe përmirësimin e shërbimeve publike.

Ndër masat më të rëndësishme përmendim miratimin dhe zbatimin rigoroz të ligjit për financave të vetëqeverisjes vendore; dhe reformën për taksën e ndërtesave me ngritjen e strukturave të posaçme dhe krijimin e kadastrës fiskale. Të gjitha këto dëshmojnë vullnetin dhe seriozitetin e Qeverisë për zbatimin e reformës administrative-territoriale.

Në buxhetin vendor të vitit 2019, në vijim të reformës administrativo-territoriale dhe decentralizimit, vend të rëndësishëm zë reforma e financimit të arsimit parashkollor.

Për vitin 2019, fondet për pagat e edukatorëve do të rriten me 9,1% në krahasim me vitin 2018. Në të njëjtën kohë do të përmirësohet sistemi i ndarjes së fondeve ndërmjet bashkive.

Në ndryshim nga sistemi i mëparshëm, ku fondet ndaheshin sipas numrit të edukatorëve, konform praktikave të mira ndërkombëtare, financimi i këtij funksioni për vitin 2019, do të  bazohet kryesisht në numrin e nxënësve (fëmijë 3-6 vjeç), si një kriter më objektiv për përcaktimin e nevojave për shpenzime. Si rrjedhojë e kësaj reforme, do të punësohen 438 mësuese (edukatore) më shumë sesa në vitin 2018, të cilët do të shkojnë në 32 bashki të cilat kanë një nevojë më të madhe për shtimin e edukatorëve, e matur nga raporti “fëmijë për edukatore”.

Kjo reformë do ketë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e madhësisë mesatare maksimale të grupeve në kopshte nga 26 në 18 nxënës për edukatore, dhe madhësisë mesatare kombëtare nga 18 në 15 nxënës për edukatore, duke krijuar kështu parakushtet për një sistem më efikas. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.