Rama: Zgjidhje kërkesave të studentëve me dialog

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ – Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Arsimin e Lartë zëri dhe të drejtat e studentëve do të fillojnë të dëgjohen edhe më shumë, pasi senatet e përbëra prej tyre kanë kompetenca më të larta.

Pasi u njoh me disa nga pretendimet e studentëve të cilët protestojnë prej disa ditësh për realizimin e një sërë kërkesave, Kryeministri Rama në emisionin “Top Show” u shpreh se Ligji i Arsimit të Lartë rrit kompetencat e senatit, duke rritur kështu edhe të drejtat dhe fuqinë e studentëve në universitet.

“Po të shikoni Ligjin për Arsimin e lartë dhe të shikoni kompetencat e senatit, senati është një “tmerr” nga pikëpamja e kompetencave që ka. Por senatet sot janë formale dhe s’duket ato nuk funksionojnë, sepse aty ka studentë, ka pedagogë, ata duan të merren me buxhetin etj. Ju nuk keni fuqinë për disa gjëra, por keni një fuqi që nuk e ka as qeveria dhe asnjëri. Mirëpo ajo fuqi që ju keni, të kthehet në një fuqi që i bën të mundura këto gjëra, ka nevojë për diçka tjetër, që është qeveria, ju duhet qeveria”.

Kryeministri Rama shprehu gatishmërinë që të bashkohet me studentët për zgjidhjen e problemeve të tyre, por kjo duhet të bëhet nëpërmjet dialogut.

“Keni rastin që ta bëni me një qeveri që është me ju dhe unë jam gati që të bashkohem me ju kundër të gjitha atyre që janë pengesë në këtë, unë pa ju nuk e bëj dot dhe nuk kam ndërmend t’i hyj asaj pune, se menjëherë do etiketohem si diktator, ndërsa bashkë ne ulemi dhe e bëjmë. Nuk keni gjë për të humbur”, – përfundoi Rama. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.