Qeveria vendim për shpronësimin e pronarëve të prekur nga ndërtimet pa leje

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ – Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave vendosi për kompensim financiar për pronarët e pasurive të paluajtshme që janë prekur nga ndërtimet pa leje në disa zona të vendit.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave, sqarohet se do të bëhet kompensimi financiar i pronarëve të pasurive të paluajtshme të zëna nga ndërtimet informale në drejtoritë e ALUIZNIt: në Tiranë Veri, Elbasan, Tiranë Jug, Tiranë Shtesat, Vlorë, Durrës, Tiranë Rurale, Sarandë, Shkodër, Lezhë, Fshatra Turistikë, Kamëz dhe Vorë.

Masa e kompensimit është 59 975,25 (pesëdhjetë e nëntë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e pesë presje njëzet e pesë) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 801 927 925,69 (tetëqind e një milionë e nëntëqind e njëzet e shtatë mijë e nëntëqind e njëzet e pesë presje gjashtëdhjetë e nëntë) lekë.

Vendimi ngarkon zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Tiranë, Elbasan, Durrës, Vlorë, Sarandë, Lezhë dhe Shkodër të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri, në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

Gjithashtu, ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Agjencia e Trajtimit të Pronave, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi. /o.l//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.