Qeveria miraton fazën e tretë të rinovimit të konvikteve

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH- I. Vata/ – Qeveria shqiptare ka miratuar sot marrëveshjen me Gjermaninë për fazën e tretë për rinovimin e konvikteve.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, u vendos “miratimi në parim i marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2017, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës, sipas parimit të eficiencës energjetike, faza III”.

Gjithashtu, qeveria miratoi sot në parim  marrëveshjen e financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (Marrësi) dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për programin e rehabilitimit të konvikteve të Universitetit të Tiranës sipas parimit të eficiencës së energjisë, faza III, me një grant në shumën 2 927 765.96 (dy milionë e nëntëqind e njëzet e shtatë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e pesë pikë nëntëdhjetë e gjashtë) euro.

Deri tani, janë investuar 18.8 milionë euro për rikonstruksionin e konvikteve të studentëve. Rikonstruksioni i tyre është bërë sipas parimeve të eficiencës së energjisë, me sistem termoizolimi, dyer, dritare, ambientet e brendshme e me pompat e nxehtësisë dhe panelet diellore të instaluara në tarraca.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.