Protesta, Rama publikon mesazhin e studentes: Dialogoni për zgjidhjen e problemeve tuaja

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/- Kryeministri Rama ka publikuar në profilin e tij në “Facebook” mesazhin e një studenteje të Mjekësisë që ka fituar bursë të plotë në Shanghai të Kinës.

Studentja Eldja Mimini u bën thirrje studentëve për dialog, duke e cilësuar atë si rrugën më të mirë të mundshme drejt zgjidhjes së problemeve që ata kanë. Sipas saj, studentët tashmë kanë një fuqi që nuk po e shfrytëzojnë.

“Unë ju them këtë. Që ju si studentë keni një fuqi që nuk po e shfrytëzoni. Keni një privilegj që Kryeministri po ju thotë të dialogoni. Sa do doja të isha aty tani edhe t’i shkoja atje, e t’i thoja tërë ditën një më një çfarë do doja të ndryshonte. Se ato 8 pika nuk janë asgjë. Ju jeni më të humburit nëse mjaftoheni me aq. Jeni bërë të gjithë si ushtarë pa kokë që ulërisni atje për një listë që e postoi dikush në rrjete sociale edhe nuk po e kuptoni që keni forcën për të bërë shumë herë më shumë. Nuk ka pse t’iu interesojë juve fare se Kryeministri është kështu apo ashtu, ka bërë këtë apo atë”.

Në mesazhin e saj drejtuar të gjithë studentëve, Eldja Memini thotë se ajo vetë do të donte të ishte mes studentëve që janë ngritur për të protestuar, për të zhvilluar një dialog e për t’i dhënë zgjidhje.

“Ju betohem, keni privilegjin që atë zë e liri fjale që e keni të drejtë themelore ta shfrytëzoni edhe ta përdorni diku ku do ju dëgjohet. Mos u mjaftoni me asgjë që nuk është ai ideali që ju keni për një universitet të denjë të 2018. Mos u mjaftoni me një 8 pikësh skandaloz që nuk do ju zgjidhë asgjë. Jini koshientë që keni në dorë të arrini shumë më shumë. Përzemërsisht Eldja Mimini, që do donte pafund të ishte tani aty me ju, edhe të protestonte me po aq vullnet, por ndoshta me një dëshirë më shumë për të shfrytëzuar fuqinë studentore për një ndryshim rrënjësor, e jo për plotësimin e vetëm atyre 8 pikave që mundësojnë thjesht krijimin e një fasade të re, pakëz më të bukur se ajo që kemi tani.
Në përgjigje të këtij mesazhi në instagramin tim personal, kam marrë, ndër të tjera, edhe shumë mesazhe nga studentë që kanë dëshirë të dialogojnë, por ndërkohë frikë edhe druajtje mbi se si do zhvillohet ky dialog. Për më tepër nuk dinë ku dhe si të drejtohen për të arritur këtë gjë”, – shkruhet ndër të tjera në mesazhin e saj.

Mesazhi i plotë i saj i publikuar nga Kryeministri Rama

Zoti Kryeministër,
përshëndetje. Jam Eldja Mimini, studente mjekësie me bursë të plotë në Shanghai Kinë.
Sot pas shumë ditësh heshtjeje nga ana ime kundrejt protestës, nuk munda më edhe iu bëra thirrje studentëve për dialog duke qënë se e konsideroj si rrugën më të mirë të mundshme drejt zgjidhjes së problemeve të tyre, që deri para një viti kanë qënë edhe të miat…

Ky është mesazhi që unë kam publikuar sot në profilin tim në Instagram:

“Po shkruaj sot si një ish-studente e Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, që sot studion mjekësi jashtë, sepse kam qenë po aq e pakënaqur nga realiteti i arsimimit në Shqipëri sa të gjithë ata që po protestojnë. Kam hezituar të flas për shumë arsye, por sot duhet patjetër ta them atë çfarë mendoj, ndoshta sepse nga këtu ku jam nuk kam mundësi të bëj më shumë sesa kaq.  Dua t’iu them të gjithë studenteve të shkojnë e të dialogojnë për të drejtat e tyre e të mos ngulmojnë më për një “plotësim pikash” nga Kryeministri apo Ministria e Arsimit. Pse? Sepse jam e bindur që në momentin që KM do thoshte “po, unë do i plotësoj pikat e kësaj liste, shkoni nëpër shtëpija”, të gjithë do kënaqeshin me aq, do i kapte një eufori e bukur fitoreje, opa, ne e bëmë qeverinë të na bindej, ne jemi dhjetori i dytë urraaa bla bla bla…

Edhe çfarë do fitonit? Jua them unë. Asgjë. Se ato 8 pika të famshme janë asgjë në krahasim me çfarë ka për detyrë universiteti edhe qeveria bashkë t’iu ofrojë juve. Ama e di shumë mirë që në qoftë se do thuhej ajo “fjali” nga KM, do bëhej shumë e qartë ajo përçarja për të cilën flisni të gjithë. Do ndahej në një anë ai grup që është aty për hak të opozites, qe do gjej ca pika të tjera e do protestojë prapë nëpër kryqëzime rrugësh. Do ndahej nga ana tjetër grupi i atyre që as vete nuk e dinë pse po protesojnë e që do kënaqeshin me idenë e kursimit të disa lekeve. E i fundit grup, do ngelej ai që vërtetë do ndryshim. Ky grup do ishte ai grup studentësh që do e kapte përsëri pesimizmi çdo ditë kur shkon në shkollë edhe i thotë vetes “ah që s’pata lekë të shkoj jashtë” … Pse? Sepse sinqerisht, në qoftë se thuhet edhe premtohen ato 8 pika ashtu aq shabllon sa i kërkoni ju të premtohen, fiks sikur po bëni pazar për arsmimin tuaj, aq më pak studentë do ngelen që do duan vërtetë të punojnë me qeverinë mbrapa për ta konkretizuar atë ndryshim.
Se nuk është aq kollaj të bësh një verifikim total të titujve edhe të zëvëndësosh të gjithë pedagogët që s’e meritojnë të jenë duke dhënë mësim. Edhe për më tepër nuk është aq shumë në dorë të qeverisë sa ç’e mendoni ju.

Unë ju them këtë. Që ju si studentë keni një fuqi që nuk po e shfrytëzoni. Keni një privilegj që Kryeministri po ju thotë të dialogoni. Sa do doja të isha aty tani edhe t’i shkoja atje, e t’i thoja tërë ditën një më një çfarë do doja të ndryshonte. Se ato 8 pika nuk janë asgjë. Ju jeni më të humburit nëse mjaftoheni me aq. Jeni bërë të gjithë si ushtarë pa kokë që ulërisni atje për një listë që e postoi dikush në rrjete sociale edhe nuk po e kuptoni që keni forcën për të bërë shumë herë më shumë. Nuk ka pse t’iu interesojë juve fare se Kryeministri është kështu apo ashtu, ka bërë këtë apo atë.

Juve duhet t’iu interesojë që s’vjen njeri t’iu lëvizi me zor nga atje ku mblidheni çdo ditë, por po ju përgjigjen me një ftesë të hapur për dialog. Në sy të të gjithëve, me praninë e medias që gjithçka të jetë transparente. Ashtu të mblidheni të gjithë, qoftë edhe në Kuvend siç ju tha, edhe një për një t’ia listoni çdo gjë që nuk shkon, një për një t’ia rreshtoni çdo emër pedagogu që ju ka bërë padrejtësi.

Keni në dorë një pushtet që ka nevojë për fuqi ekzekutive nga qeveria, e cila ka nevojë nga ana tjetër për pushtetin që do i jepte një pakt me ju ku listohet çdo problematikë. Sepse mos harroni që universitetet janë autonome. Mos i merrni aq shabllon fjalët që thotë Kryeministri. Mundohuni të kuptoni mes rreshtave. Jetoj në Shanghai, kam ndenjur zgjuar gjithë natën mbrëmë për të parë live se ç’kishte për të thënë në Top Show, edhe jam shumë e sigurt që kam dëgjuar shumë më shumë sesa të gjithë ju që nxitoheni për të bërë një meme në Instagram duke përdorur ca fjalë nga një arsyetim që bën ai. Drreqi e mori, nuk janë adminat e faqeve në Instagram ata që duan ndryshimin. As ata studentë që tashmë janë pjesë e forumeve rinore dhe deri diku e kanë një shpatull mbështetje kundër kasaphanes që bëjnë pedagoget nuk janë atë që e duan ndryshimin. Ata që e meritojnë ndryshimin. Ata që kanë nevojë për ndryshimin.

Ata që vërtetë e duan ndryshimin janë ato studentë që fatkeqësisht nuk kanë asgjë tjetër, por një zë. Një të drejtë fjale. Që në atë mishmash ulërimash nëpër megafonë që thonë “oh sa mirë me qenë shqiptar” apo ku di unë çfarë tjetër, humbet.
Zëri juaj humbet. Ju betohem keni privilegjin që atë zë e liri fjale që e keni të drejtë themelore ta shfrytëzoni edhe ta përdorni diku ku do ju dëgjohet. Mos u mjaftoni me asgjë që nuk është ai ideali që ju keni për një universitet të denjë të 2018. Mos u mjaftoni me një 8 pikësh skandaloz që nuk do ju zgjidhë asgjë. Jini koshientë që keni në dorë të arrini shumë më shumë.

Përzemërsisht Eldja Mimini, që do donte pafund të ishte tani aty me ju edhe të protestonte me po aq vullnet, por ndoshta me një dëshirë më shumë për të shfrytëzuar fuqinë studentore për një ndryshim rrënjësor, e jo për plotësimin e vetëm atyre 8 pikave që mundësojnë thjesht krijimin e një fasade të re, pakëz më të bukur se ajo që kemi tani.”
Në përgjigje të këtij mesazhi në Instagramin tim personal, kam marrë, ndër të tjera, edhe shumë mesazhe nga studentë që kanë dëshirë të dialogojnë, por ndërkohë frikë edhe druajtje mbi se si do zhvillohet ky dialog. Për më tepër nuk dinë ku edhe si të drejtohen për të arritur këtë gjë.

Tani ju drejtohem juve zoti Kryeministër dhe ju pyes ku e si të vijnë e të trokasin këta studentë që kanë dëshirën të dialogojnë për ndryshimin themelor e rrënjësor që ka nevojë sistemi arsimor shqiptar?

Edhe ju bëj një tjetër thirrje të gjithë studentëve që dëshirojnë njësoj si unë të ndryshojnë njëherë e mirë atë mediokritet për sistemin arsimor që kemi në Shqipëri.
Ju bëj thirrje të shpërndani këtë mesazh që vërtetë do i drejtojë studentët drejt një rruge që e ka një zgjidhje në fund, e jo drejt rrugëve të tjera qorre në të cilat po i hallakasin studentët e shkretë, pa asnjë lloj mënyre për të arritur një rezultat konkret. Ju lutem të dini të përzgjidhni informacionin që merrni nga rrjetet sociale ku secili shkruan ç’të dojë, e të besoni e ndiqni atë që ju shkon përshtat interesit tuaj për ndryshim e jo thirrjeve kot më kot të figurave që fshihen mbas profileve fallco edhe pa identitet. Se nëse nuk e bëni do përfundoni me një protestë të nisur për ndryshim e që rezultoi një dështim si gjithë të tjerat. Shpresoj shumë që të dini të bëni zgjedhjen e duhur për të ardhmen tuaj, edhe brezave që do vijnë. Edhe juve zoti Kryeministër do bënit mirë ta shpërndanit këtë mesazh.
Kjo thirrje për dialog ju vjen nga një studente që është totalisht jopartiake, njëlloj si çdokush tjetër që vërtet do ndryshim!

/z.tosku/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.