Letërsia shqipe në listën e “PEN America Literary Awards” për 2019

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ – Letërsia shqiptare sjell lajme të mira. “Negative Space” i poetes Luljeta Lleshanaku (New Directions), përkthyer ne anglisht nga Ani Gjika është përzgjedhur nga pen_america në listën e “PEN America Literary Awards” për vitin 2019. 

Në prezantimin që botuesi i bën autores në kopertinë ndër të tjera thuhet: “Shumë nga poezitë nuk i referohen ndonjë vendi specifik ose kohe specifike. Ngjarjet intervenojnë midis tyre dhe ngjarje të reja marrin formë, ashtu si në poemën e saj të gjatë “Homo Antarcticus”, e cila ndjek fatin e një heroi, i cili,ndërsa ia doli të përshtatej për muaj me radhë me vdekjen nga uria në Antarktidën e ftohtë nën zero gradë, nuk mundi të përshtatej më pas me jetën në qytetërim”.
“Kjo është njëra nga poemat në libër që flet për presionin e shoqërisë moderne mbi individin. Brenga dhe vdekja, dashuria dhe dëshira, burgosjet dhe zhgënjimi, janë të gjitha tema që bëjnë jehonë në poezinë magjepsëse të Lleshanakut”, shkruhet në kopertinën e librit. /a.a/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.