IPARD II mbështetje zhvillimit të turizmit rural

101

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njofton se Programi IPARD II – Masa 7, bën Thirjen e Parë, Investime për diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e ekonomisë në fshat, e hapur për aplikimet nga data 30 nëntor 2018 deri në 30 janar 2019. Kjo parashikon të mbështesë fermerët deri në 65 për qind të vlerës së investimit. AZHBR për t’i ardhur në ndihmë aplikuesve ka publikuar udhëzimin përkatës ku ndër të tjera thekson se kjo masë mbështet investimet në diversifikimin e ekonomisë në fshat, konkretisht në sektorin e agroturizmit, turizmit rural, prodhimin e produkteve tradicionale etj., duke financuar 65% të vlerës për investime nga 10.000 euro, deri në 400.000 euro.

Mbështetja për diversifikimin e ekonomisë rurale është një nga tri masat që financon programi IPARD II, për bujqësinë shqiptare, që janë masa e parë: Mbështetje për investimet në fermë dhe mbështetje për përpunimin e produkteve dhe tregtimin e tyre.

Që prej datës 30 nëntor 2018, fermerët dhe sipërmarrësit në zonat rurale kanë nisur aplikimet për IPARD II, për të përfituar mbështetje financiare për investimet e reja që do të ndërmarrin në sektorin e bujqësisë, sipas kritereve të përcaktuara.

IPARD II me një fond prej 94 milionë euro, financuar nga BE dhe qeveria shqiptare, është mbështetja më e madhe që bujqësia shqiptare, agropërpunimi dhe zonat rurale, kanë pasur ndonjëherë në të paktën 30 vitet e fundit. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.