FOTO/ “Lëvizja Kombëtare për Lexim” në parkun e Butrintit

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ – Lëvizja Kombëtare për Lexim tashmë po “udhëton” në vendet e trashëgimisë sonë kulturore për të takuar brezin e ri me librin dhe historinë dhe vlerën e këtyre vendeve.

Në kuadër të nismës Lëvizja Kombëtare për Lexim, në ambientet e qytetit antik të Butrintit u zhvillua “Takim për një libër” me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Mehmet Xhaferri” Xarrë. 
Nxënësit u njohën me një sërë botimesh me karakter historik dhe artistik. 

Ata përzgjodhën për të lexuar përrallën e Hans K. Andersen “Mbretëresha e Dëborës”, prej nga kuptuan se shumë prej realizimeve të filmave vizatimorë e kanë fillesën nga përrallat e shkruara. 

Aktivitetet dhe larmishmëria e tyre në kuadër të kësaj nisme po ndërthurin së bashku leximin dhe ambiente mjaft atraktive, ku të rinjtë lexojnë, siç janë vendet e trashëgimisë kulturore. Kjo pasi të rinjtë duhet të informohen me anë të librit dhe gjithashtu të njohin nga afër historinë e vendit të tyre.

Nisma e ndërmarrë nga Ministria e Kulturës ”Lëvizja Kombëtare e Leximit” po shkon pranë brezit të ri kudo, në çdo cep të vendit. Synimi është që çdo fëmijë kudo që të ndodhet duhet të njihet me librin për t’u bërë nesër një qytetar i denjë europian i kulturuar. /a.a/j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.