Fier, transformim rrënjësor i lumit Gjanica dhe qendrës së qytetit

236

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2293100194259032/

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/- Fieri po transformohet tërësisht falë Programit Kombëtar të Rilindjes, që përfshin projektin për rehabilitimin e lumit Gjanica dhe transformimin e qendrës së qytetit.

Ky projekt synon valorizimin e brigjeve të lumit, përmes gjelbërimit dhe ndërtimit të ndërtesave publike për qëllime sportivo-kulturore e të shërbimit dhe rehabilitimin selektiv sipas nevojave, të rrjetit infrastrukturor.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga punimet për rehabilitimin e lumit Gjanica dhe qendrës së qytetit.

“Mirëmëngjes dhe me këto momente domethënëse të transformimit rrënjësor të Fierit, përmes Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.

Rehabilitimi i lumit Gjanica në Fier ka hyrë në një fazë intensive, ndërsa aktualisht po punohet për gërryerjen e lumit dhe betonimin e anëve të tij.

Deri tani, lumi Gjanica në Fier ka hyrë në shtratin e ri, në seksionin e parë të punimeve, ku është gërryer shtrati dhe janë betonuar skarpatet anësore.

Në fazën e parë të punimeve, shtrati i lumit Gjanica u devijua, për t’i hapur rrugën betonimit të skarpateve.

Rehabilitimi i lumit Gjanica, që për çerekshekulli ishte kthyer në burim plehrash e përmbytjesh për qytetin e Fierit, mbetet projekti më madhor i zbatuar në këtë qytet.

Projekti parashikon sistemimin e ujërave të zeza dhe ujërave të shiut në zonën e shtratit të lumit, rehabilitimin mjedisor të lumit dhe krijimin e një peizazhi rekreativ për shtratin e lumit. Po ashtu, sigurohen rrjete rrugore të mirëlidhura për këmbësorët, hapësira publike dhe në tërësi, një peizazh i përmirësuar infrastrukturor.

Ky projekt parashikon gjithashtu rinovimin e fasadave dhe restaurimin e ndërtesave të përfshira në ansamblin e qendrës së qytetit, ndërtimin e rrugëve për këmbësorët, krijimin e rrugëve të shkurtra të ecjeve në natyrë dhe lehtësira të tjera për këmbësorët.

Lumi Gjanica, dikur një mrekulli natyrore, për shumë vite u keqpërdor nga bizneset, të cilat e shndërruan atë në një vendgrumbullim plehrash dhe hidrokarburesh.

Lumi Gjanica, me një gjatësi prej 42 km, buron nga Mallakastra dhe përshkon qytetin e Fierit. Ai është degë e Semanit dhe buron nga pjesa jugore e malit të Shpiragut, përshkon gjithë trevën e Mallakastrës, kalon mes përmes qytetit të Fierit dhe derdhet në Seman, në afërsi të Mbrostarit. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.