27 miliardë lekë më shumë të ardhura fiskale në vitin 2019

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/- Të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vitin 2019, vlerësohen të arrijnë 423.5 miliardë lekë, me një shtesë prej 27 miliardë lekë ose 6,8% më shumë se pritshmëria e vitit 2018.

Ministria e Financave bën të ditur se, të ardhurat nga DPT dhe DPD (pa përfshirë kontributet) parashikohet të jenë 325.6 miliardë lekë, me një rritje prej 6,7% ose 20.5 miliardë lekë më shumë se viti 2018.

Të ardhurat doganore janë parashikuar duke u bazuar në analizën e trendit historik të 60 grup-produkteve kryesore, për një periudhë katërvjeçare. Ky parashikim është korrektuar me efektet e faktorëve të tjerë të jashtëm në secilën taksë. E njëjta procedurë është ndjekur edhe për të ardhurat nga tatimet, duke marrë për bazë modelin statistikor të projeksionit të të ardhurave të pritshme si dhe faktorët ekzogjenë me ndikim në çdo taksë, bën të ditur dikasteri i Financave. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.