Verifikim vetëdeklarimit, MIE propozon ndryshimin e ligjit për prokurimet publike

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ – Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka propozuar ndryshime në aktet ligjore dhe nënligjore të Ligjit për Prokurimit Publike, pas konfirmimit se kompania DH Albania fituese e dy tenderëve, rezultoi se kishte falsifikuar dokumentacionin.

Lajmin e konfirmoi edhe ministri Gjiknuri. “Nisur nga problematikat e hasura në këto procedura me kompani të huaja apo përfaqësi të tyre, unë sot kam propozuar ndryshime në aktet ligjore dhe nënligjore të ligjit për Prokurimet Publike”, tha ai.

Ministri sqaroi se, ka propozuar që të sanksionohet qartësisht në ligj, detyrimi që ofertuesit fitues t’i verifikohet në çdo rast informacioni që vetëdeklaron përpara lidhjes së kontratës. Propozimi i është drejtuar zyrtarisht Agjencisë së Prokurimit Publik, për të iniciuar këto ndryshime ligjore.

Ministri Gjiknuri tha se “kjo do të vlejë në të ardhmen për parandalimin e situatave të ngjashme dhe do t’i bëjë autoritetet më të kujdesshme në verifikimin e informacioneve përpara lidhjes së kontratës”.

Ndërkohë ministri Damian Gjiknuri theksoi se “dua të garantoj qytetarët e Tiranës se projekti i zhvillimit të Unazës së Madhe do të vazhdojë pa u ndalur për t’u përmbyllur brenda afateve. Menjëherë, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të shpallë procedurën e garës për lotin 1 të Unazës së Madhe. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.