Sot, dita Ndërkombëtare e Maleve

TIRANË, 11 dhjetor / ATSH / Dita Ndërkombëtare e Maleve, u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 11 dhjetor të vitit 2003 dhe vuri në dukje nevojën e ndërgjegjësimit të vazhdueshëm mbi rëndësinë e Maleve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit të tyre për të ruajtur cilësinë e jetës së njerëzve.

Duke mbuluar rreth 27% të rruzullit tokësor, malet luajnë rol vendimtar në lëvizjen e botës drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Ato, jo vetëm që sigurojnë furnizimin dhe mirëqenien e 720 milionë njerëzve që jetojnë në male nëpër botë, por nga ata, mënyrë indirekte përfitojnë miliarda të tjerë  që jetojnë në zona urbane.
Praktikisht, malet sjellin ujë të pastër, energji dhe ushqim, burime që do të jenë gjithnjë e më të pakta në dekadat e ardhshme.

Sidoqoftë, malet gjithashtu kanë shkallë të lartë të varfërisë, dhe janë jashtëzakonisht të prekshme nga ndryshimet klimatike, shpyllëzimet, degradimet e tokës dhe fatkeqësitë natyrore.
Mbetet sfidë, identifikimi i mundësive të reja dhe të duhura që mund të sjellin përfitime të dyja, komuniteteve malore dhe atyre në ultësira dhe që mund të ekuilibrohet mënyra dhe niveli i jetesës. Politikat qeveritare për vendin tonë janë të tilla që zonat malore të kenë një prioritet të veçantë përsa i përket turizmit ekologjik dhe atij sportiv.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vendosi që 11 Dhjetori të shënohet si Dita Ndërkombëtare e Maleve, dhe inkurajon komunitetin ndërkombëtar të organizojë ngjarje të gjitha niveleve në këtë ditë për të theksuar rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm të maleve. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.