Sekuestrohen garancitë financiare të “DH Albania”

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ – Garancia prej 10% e kontratave të anuluara tashmë të kompanisë “DH Albania”, do të sekuestrohet, ndërkohë që materialet e ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i referohen Prokurorisë që ka hapur një hetim për falsifikimin e dokumenteve zyrtare nga kompania “DH Albania”.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, bëri të ditur këtë masë në një dalje për mediet, ku informoi anulimin e dy kontratave të “DH Albania”, një për Unazën e re dhe tjetra për tenderin me Operatorin e Sistemit të Transmetimit.

Por çështja nuk do të mbyllet vetëm me sekuestron e garancisë financiare të subjektit. Ministri bën me dije se “materialet e ardhura nga SHBA do t’i referohen prokurorisë e cila tashmë ka hapur një hetim për falsifikimin e dokumenteve zyrtare nga kompania “DH Albania”. Të njëjtën praktikë ka ndjekur edhe Operatori i Sistemit të Transmetimit”.

“Dua të theksoj se falsifikimi i të gjitha dokumenteve rezulton të jetë kryer jashtë territorit të Shqipërisë. Siguroj opinionin publik se hapat e ndjekura nga ARRSH për kryerjen e procedurës për tenderim kanë qenë në përputhje me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik. Edhe oferta e paraqitur nga kompania në fjalë, në mënyrë elektronike, ka qenë në përputhje me kërkesat e dokumentave të tenderit që njeh legjislacioni”, tha ministri Gjiknuri.

Sipas tij, përgjegjësia direkte bie mbi ata të cilët kanë marrë përsipër të bëjnë këtë falsifikim. “Unë inkurajoj me forcën më të madhe Prokurorinë ta hetojë këtë çështje deri në fund, për të zbuluar kush janë autorët e vërtetë të këtij falsifikimi dhe ata që fshihen prapa tij”, tha ai.

“Dua të garantoj se ARRSH dhe çdo institucion tjetër do të bashkëpunojë ngushtësisht me organet e drejtësisë për të vënë në dispozicion çdo informacion për zbardhjen e të vërtetës”, tha Gjiknuri.

/o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.